Lidhja e Sindikatave të Maqedonia paralajmëron greva, protesta dhe bllokime rrugësh pas 21 janarit. Ata thonë se mungon vullneti nga ana e pushtetit për kërkesat e tyre për rritje të pagave. Lupço Radovski nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë për televizionin Alsat deklaroi se inflacioni prej kohësh ua ka “ngrënë” pagat dhe se standardi i jetesës së qytetarëve vazhdimisht bie. Kërkojnë rritje të pagës minimale në 600 euro ndërsa pagat e tjera për 100 euro pasi gati një e treta e popullsisë jeton në varfëri.

“Ne, më 21 të këtij muaji, LSM, me kërkesë të anëtarësisë sonë, do të mbajmë mbledhje të Këshillit të LSM-së, në të cilën do të marrim vendime për mënyrën dhe format e veprimit tonë të mëtejshëm. Me të gjitha normat ligjore që i kemi, të drejtat nga marrëveshja kolektive dhe të gjitha të drejtat e tjera që na janë dhënë, ne do t’i zbatojmë ato me qëllim që qytetarëve t’u mundësojmë standard më të mirë. Kjo do të thotë se do të synojmë që paga minimale të rritet aq sa të mundësojë të paktën një jetë modeste për qytetarët në shtet”, tha Lupço Radovski – LSM.

Autoritetet, nga ana tjetër, thonë se rritje e pagave do të ketë përmes harmonizimit ligjor, që arrin në rreth 1.500 denarë, pra mbi bazën e formulës: 50% nga paga mesatare neto e vitit të kaluar dhe 50% nga shpenzimet e jetesës.

“Qëndrimi i autoriteteve është se nuk do të ndërhyjnë në rritjen e pagës minimale. Ata thonë se do ta pranojnë çdo marrëveshje që do ta arrijnë punëtorët dhe punëdhënësit”, raporton Angell Dimovski, Gazetar.

Sipas qytetarëve, është e domosdoshme rritje urgjente e pagës minimale në 500 euro. Ata thonë se çmimet prej kohësh ua kanë “ngrënë” pagat aktuale.

“Sa mendoni se duhet të jetë paga minimale? Sa kërkon sindikata, ata kanë llogaritjet e veta, mendoj se kërkojnë 500–600 euro“, thotë një qytetar.

“Normalisht duhet rritje e pagës minimale, si mund të punojë dikush gjithë ditën për 300 ose 350 euro. Sa mendoni se duhet të jetë paga minimale? Nën 500 euro kurrsesi“, u shpreh një qytetar.

Sipas shportës minimale sindikale, për një familje katër-anëtarëshe që ta përballojë muajin i nevojiten të paktën 65 mijë denarë, ndërsa nëse jeton në banesë me qira prej 60 m2, shuma rritet në gati 81 mijë denarë. /Alsat.mk

sqShqip