May 11, 2024
Maqedoni

Partitë politike po përcaktojnë koalicionet, Partia Demokratike Turke pjesë e Frontit Evropian

Partitë politike veçmë po përcaktojnë koalicionet në prag të zgjedhjeve parlamentare të 8 majit. BDI zyrtarizoi bashkëpunimin koalicionues për me Partinë Demokratike Turke të udhëhequr nga Bejcan Iljaz. Me këtë rast u tha se marrëveshja e re do të jetë një front i fortë dhe i qëndrueshëm që do të kontribuojë në stabilitetin dhe paqen e rajonit, duke u përqendruar në integrimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.

“Ky front edhe ju vetë të dashur të përkatësisë së komunitetit turk do ta provoni se më shumë se politikë do të jetë bashkëpunim vllazëror. Ne po bëjmë përpjekje bashkë që vendin ta antarësojmë në BE, gjithashtu që të forcojmë dokumentat e pakontestueshme të Marrëveshjes së Ohrit, marrëveshjes së Prespës, marrëveshjen për fqinjësi të mirë, paqe dhe stabiltete për vendin dhe rajoni. Prandaj motoja jonë jo rastësisht është po Evropës dhe jo Rusisë, sepse ne duam paqe dhe stabilitet për të gjitha kombet në Evropë.”, tha lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

“Ky koalicioni, i cili përfshin partitë me përvojë të gjatë politike, synon të theksojë rëndësinë e bashkëpunimit dhe të përfshirjes në vendimmarrjen politike në momentet kyçe për vendin. Jam optimist se ky koalicion do të kontribuojë në zhvillimin e vendit dhe do të jetë një faktor kyç në promovimin e vlerave multietnike.”, tha kryetari i Partisë Demokratike Turke, Bejxhan Iljaz.

Vlen: Sela dhe Lloga kanë kohë deri të shtunën të ndërrojnë mendje

Ndërkohë nga Koalicioni opozitar VLEN, i ka bërë thirrje edhe një herë Ziadin Selës dhe Krenar Llogës që mos t’i bashkangjiten “Frontit Evropian” të Ali Ahmetit, duke i’a përkujtuar deklaratën e kryetarit të ASH-së, Arben Taravari, se do t’ua dorëzojë vulat nëse vendosin të dalin vetë në zgjedhje.

“Zijadin Sela dhe Krenar Lloga dolën me një alibi të lirë për të shkuar kundër vullnetit të shumicës së shqiptarëve. Arben Taravari ua ofroi publikisht vulat e Aleancës për Shqiptarët, nëse vërtet vendosin të garojnë vetëm në zgjedhje. Zijadin Sela nuk deklarohet për këtë ofertë sepse e dimë se prej kohësh ka rënë dakord që t’i shërbejë ekskluzivisht interesave të Ali Ahmetit. Prandaj shkaktoi përçarjen në ASH. Na vjen keq sinqerisht që Sela dhe Lloga i vendosën interesat e tyre personale para interesave të shqiptarëve, të cilët janë të vendosur qartë dhe pa mëdyshje ta dërgojnë BDI-në në opozitë. Ata kanë kohë deri të shtunën, nëse rastësisht ndryshojnë mendje, do të marrin vulat e ASH-së për listat e deputetëve për të performuar vetë.”, thuhet në reagimin e VLEN-it.

Reagojnë nga krahu i Selës: Vulat e ASH-së nuk janë të Taravarit

Por nuk ka vonuar reagimi nga krahu i Selës.

“Koalicioni LEN ka traditë të LEN rrugëve partnerët e koalicioneve që ato ndërtojnë (disa si МОЖЕМЕ, disa duke u vetëkidnapuar, disa të pandashëm me Mickon, e disa që s’shkoqen prëj Qeverisë), ashtu siç edhe ndërrojnë emrat në këto koalicione. Vulat e ASH-ës nuk janë pronë e individit, aq më pak e atij që braktisi shtëpinë e tij politike, dhe sa për ultimatumet, përdorni ato me VMRO-në, jo me Aleancën për Shqiptarët.”, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët krahu i Ziadin Selës.

Nga Vlen me akuza edhe ndaj kandidatit presidencial të BDI-së Bujar Osmani.

“Atëbotë, po ky Bujar Osmani – në rol të zëdhënësit të BDI-së, doli para kamerave dhe pa fije turpi, pa u skuqur fare e pa pikë ndërgjegje e mashtroi opinionin e tërë. Kështu, në pyetjen se “Ku është njëri nga të akuzuarit e rastit, Haki Haziri, ai tha: ‘Informacionet tona thonë se ai nuk është në asnjë institucion shtetëror. Ai kontakton me familjen e tij dhe me vullnetin e tij bëhet i zhdukur’.” Kjo ishte një deklaratë skandaloze, sepse shumë shpejt u bë e ditur se Haki Haziri mbahej nga organet e shërbimit sekret në institucione të fshehta dhe atij i bëhej presion të pranojë të bëhet bashkëpunëtor dhe dëshmitar në rastin e ashtuquajtur “Monstra”.”, tha Fari Iseni nga VLEN.

Mickovski për partitë që largohen nga Qeveria: Ato do të duhet tu japin përgjigje

Ndërkohë në bllokun maqedonas lideri i VMRO DPMNE-së Hristian Mickovski, tha se nuk mund të jep përgjigje për partitë që largohen nga Qeveria.

“Për sa i përket motivit dhe arsyes, ndoshta ato do të duhet tu japin përgjigje. Do të doja që kjo të ishte fakti që ata njohën gjëra të mira në programin tonë dhe për këtë arsye vendosën ta pranojnë atë. Ka pasur edhe ata që kanë negociuar me ne, nuk kemi arritur marrëveshje, ose do të veprojnë të pavarur ose do të qëndrojnë së bashku me partitë aktuale në pushtet, pavarësisht nëse janë në LSDM apo BDI.”, tha lideri i VMRO DPMNE-së, Hristian Mickovski.

LSDM: Pushteti vijon të jep premtime false

Por nga LSDM akuzojnë opozitaren VMRO-DPMNE se pas tradhtisë së qytetarëve të Shkupit, si dhe të 40 komunave në mbarë vendin, DPMNE tani ka dalë me premtime të reja false.

“Platforma 1198 e promovuar e shekullit të kaluar e DPMNE-së është pikërisht ajo, premtime të reja false. Është konfirmuar se DPMNE nuk ka plan për të ardhmen dhe se kjo parti nuk mund të bëjë asnjë ndryshim. Me DPMNE-në është e mundur vetëm kthimi prapa, në izolim dhe mungesë shprese.”, thuhet në kumtesëe e LSDM-së.

Promovohet koalicioni Guximshëm për Maqedoninë

Edhe Partitë (GROM), Integra dhe Partia për Emancipim të Plotë të Romëve u bashkuan sot në një koalicion Guximshëm për Maqedoninë për zgjedhjet parlamentare. Kryetari i Komunës së Karposhit dhe lideri i GROM-it, Stevço Jakimovski, pas nënshkrimit të koalicionit, tha se të trija partitë do të luftojnë së bashku kundër politikave dhe politikanëve që janë të gatshëm të heqin dorë nga gjithçka vetëm për të qëndruar në pushtet./TVM2