April 30, 2024
Maqedoni

Partitë komentojnë “rikthimin e Gruevskit”

Gruevski duhet të kthehet që të përballet me drejtësinë, thotë kryeministri Dimitar Kovaçevski, i pyetur për vjetërsimin e njëpasnjëshëm të lëndëve gjyqësore të ish kryeministrit, gjë e cila u mundësia me ndryshimet e Kodit penal që bëri pushteti. Megjithatë, sipas Kovaçevskit, tema e rikthimit të Gruevskit në opinion, është keqplasuar.

“E para, për të ka fletarrest ndërkombëtar për t’u kthyer në Maqedoni dhe ai duhet të kthehet. Megjithatë duhet të kthehet që të përballet me drejtësinë, në përputhje me ligjet e vendit dhe vendimet e organeve gjyqësor. Unë nuk mund të komentoj veprat e dikujt dhe as vendimet gjyqësore. Për këtë do të drejtoheni në gjykata dhe në prokurori. Nëse është siç thoni ju atëherë do ishte kthyer, megjithatë nuk është ashtu”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Opozita shqiptare fajëson BDI-në për mundësinë që i hapet gradualisht ish kryeministrit që të kthehet.

“Nuk duhet të jesh as analist e as politikan për ta kuptuar që ky ndryshim i Kodit Penal u bë vetëm dhe vetëm në shërbim të Gruevskit, Mijallkovit, Jankullovskës e të tjerëve si ata. Besa për ne nuk është çudi që dashuria e Ahmetit për Gruevskin është e madhe. Këtë e kemi kuptuar që moti dhe e kemi vërtetuar teksa vet ai deklaronte se Gruevski nuk është i keq, por të tillë e ka paraqitur propaganda mediatike, mirëpo duam që këtë dashuri të Ahmetit ta përkthejmë në parametra më të saktë. Pra, duam të dimë, sa vite burg, ia ka falë Ahmeti Gruevskit me ndryshimin e Kodit Penal?”, u shpreh Fatmir Sabriu, Lëvizja Besa, Lidhja Evropiane për Ndryshim.

VMRO-DPMNE-ja vlerëson se me ndryshimet në Kodin Penal, pushteti synoi të amnistoi kriminelët nga radhët e tyre të cilët kanë keqpërdorur funksionin publik gjatë kësaj periudhe.