Policia e Kosovës ka njoftuar se ka parandaluar një rast të kontrabandimit me mallra në zonën kufitare të Hanit të Elezit. Operacioni është zhvilluar nga njësitë patrulluese të Drejtorisë Rajonale Kufitare Lindje, konkretisht nga Stacioni Policor për Mbikëqyrje Kufitare të Hanti të Elezit.
Policia ka njoftuar se, rreth orës 19:00 të ditës së djeshme, njësia policore ka vërejtur një automjet të tipit kombi-furgon pa targa regjistrimi, i cili kishte hyrë në territorin e Republikës së Kosovës nga Maqedonia e Veriut, duke përdorur rrugë ilegale.
Në njoftim thuhet se pavarësisht tentativës së policisë për ta ndaluar, automjeti nuk është ndalur dhe ka dalë nga rruga, duke përfunduar në një hendek. Dy personat e dyshuar që ndodheshin në automjet e kanë braktisur atë dhe janë larguar në drejtim të Maqedonisë së Veriut.
“Gjatë kontrollit të automjetit, policia ka gjetur një sasi të konsiderueshme mallrash të kontrabanduara, përfshirë këpucë për meshkuj dhe femra të markave të ndryshme, mjete pune, kasaforta dhe veshje të ndryshme” thuhet në njoftim.
Me urdhër të prokurorit kompetent, automjeti dhe mallrat e gjetura janë konfiskuar dhe janë dërguar në Stacionin Policor për Mbikëqyrje Kufitare – Hani i Elezit, ndërsa do t’i dorëzohen Doganës së Kosovës për procedurat e mëtejme ligjore.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e veprimtarive ilegale, me qëllim të ruajtjes së rendit, sigurisë dhe integritetit kufitar të Republikës së Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me agjencitë e tjera ligjzbatuese.
