Si lindi denari në fshehtësi: Letra e bankënotave u transportua përmes Shqipërisë
Në vitet e para të pavarësisë, kur Jugosllavia po shpërbëhej dhe rajoni përballej me luftëra, krizë ekonomike dhe hiperinflacion, Maqedonia nisi një prej operacioneve më sekrete të periudhës së krijimit të shtetit të ri – përgatitjen e monedhës së saj.
Denari nuk lindi vetëm përmes vendimeve ekonomike. Pas krijimit të tij fshihej edhe një operacion logjistik i zhvilluar në fshehtësi, me qëllim shmangien e kontrolleve dhe zonave të luftës.
Profesori Ljube Trpeski, ish-guvernator i Bankës Popullore, ka rrëfyer se një grup i posaçëm, i formuar nga presidenti i atëhershëm Kiro Gligorov, punonte nën masa të rrepta sekreti për përgatitjen e valutës së re.
Një prej sfidave kryesore ishte sigurimi i letrës së posaçme për bankënotat. Ajo prodhohej vetëm në një fabrikë në Slloveni, ndërsa transportimi i saj drejt Maqedonisë në atë periudhë ishte një mision i ndërlikuar.
Për të shmangur zonat e luftës dhe kontrollet e Beogradit, letra u transportua fshehurazi me anije drejt Shqipërisë. Prej aty, sipas rrëfimit të Trpeskit, materiali u dërgua me kamionë drejt Maqedonisë.
Ndërkohë, përgatitjet për prodhimin e bankënotave vazhdonin edhe brenda vendit.
Bankënotat e para provuese u shtypën në shtypshkronjën “11 Oktomvri” në Prilep. Ato kishin një veçori të pazakontë: nuk mbanin emrin e valutës, por vetëm vlerat numerike.
Vetëm pasi u siguruan kushtet për krijimin e monedhës së re, procesi hyri në një fazë tjetër. Në vitin 1993 u zhvillua konkurs ndërkombëtar për dizajnin e denarit.
Në vend të portreteve të figurave historike, dizajni përfundimtar i bankënotave u orientua drejt simboleve kulturore, historike dhe natyrore të vendit.
Kështu, në një periudhë kur shteti i ri po përpiqej të ndërtonte institucionet dhe ekonominë e tij, denari u shndërrua në një prej simboleve të rëndësishme të sovranitetit monetar të Maqedonisë.
Historia e krijimit të tij tregon se pas një bankënote që sot duket krejt e zakonshme fshihej një proces i zhvilluar në kushtet e pasigurisë, luftërave në rajon dhe një operacioni të mbajtur për kohë të gjatë nën sekret të rreptë. Gazeta Flaka

