Maqedoni

Palloshi dhe Sela të vendosur për përdorim të barabartë të gjuhës shqipe te Ndërmarrja e Hekurudhave

Hekurudhat – Transport filluan bashkëpunimin me AZGJ-në

Drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës (AZGJ), Ylber Sela, vizitoi Hekurudhat e Republikës së Maqedonisë së Veriut Transport SHA – Shkup ku u takua me Mubekir Palloshi, Drejtor i Përgjithshëm dhe Kryetar i Këshillit Drejtues të Shoqërisë Aksionare.

Në këtë mbledhje u shqyrtua gjendja rreth zbatimit të dispozitave të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve në punën e kësaj shoqërie aksionare.

“Drejtori Palloshi u falënderua për nismën e AZGJ-së për bashkëpunimin ndërinstitucional dhe mundësinë e shkëmbimit të drejtpërdrejtë të mendimeve për sqarimin e çështjeve të caktuara, që dalin nga zbatimi i Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve. Njëkohësisht, ai theksoi se është i padiskutueshëm respektimi i dispozitave ligjore dhe se shoqëria aksionare do të ndërmarrë aktivitete për përmbushjen e detyrimeve ligjore, për të cilat do të angazhohen plotësisht, me ndihmën edhe të AZGJ-së”, njoftuan nga kabineti i drejtorit të Hekurudhat e Republikës së Maqedonisë së Veriut Transport SHA – Shkup.

Nga ana tjetër, drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela, ka ofruar mbështetje të plotë në fushën e konsultimeve profesionale, përkthim dhe lekturim të akteve të përgjithshme dhe formularëve të shoqërisë aksionare, si dhe dorëzoi një sërë botimesh të botuara nga AZGJ-ja.