Maqedoni

Ambasadorja amerikane në Shkup: Diplomaci në vend të luftës, e vërteta mbi gënjeshtrën

Bota po ndjek agresionin e paprovokuar të Rusisë ndaj Ukrainës. Veprimet e Rusisë janë një kërcënim jo vetëm për Ukrainën, por për Evropën dhe për rendin ndërkombëtar bazuar në rregulla. Qëllimet tona janë të thjeshta. Ne qëndrojmë me aleatët dhe partnerët tanë për të mbështetur kohezionin evropian, për të forcuar marrëdhëniet tona transatlantike dhe për të forcuar shtetet dhe institucionet demokratike. Ne e bëjmë këtë për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Shteteve të Bashkuara dhe të Maqedonisë së Veriut. Dhe këtë e bëjmë së bashku. Sekretari Amerikan i Shtetit Entoni Blinken ishte shumë i qartë: Shtetet e Bashkuara nuk do të negociojnë për Evropën, pa Evropën. Ne nuk do të negociojmë për Ukrainën, pa Ukrainën.

Kërcënimi i vërtetë

Gjatë dy dekadave të fundit, Rusia ka pushtuar dy vende fqinje, ka ndërhyrë në zgjedhjet e të tjerëve, ka përdorur armë kimike për të kryer atentate në tokë të huaj, ka përdorur dërgesat e gazit si një mjet politik dhe ka shkelur marrëveshjet ndërkombëtare të kontrollit të armëve.

Në vitin 2014, pasi miliona ukrainas protestuan për një të ardhme demokratike, Rusia prodhoi një krizë, pushtoi dhe okupoi territorin e Ukrainës në Krime dhe orkestroi një luftë në Ukrainën lindore me personelin rus dhe të tjerë që ajo drejton, trajnon, furnizon dhe financon. Kjo luftë ka marrë më shumë se 14.000 jetë ukrainase. Rusia vazhdon të okupojë pjesë të Gjeorgjisë dhe Ukrainës edhe sot dhe nuk ka respektuar angazhimin e saj për të tërhequr forcat nga Moldavia. Dhe tani veprimet e Rusisë duke përfshirë vendosjen e më shumë se 100,000 trupave në kufirin me Ukrainën, po shkaktojnë kthimin e një krize, jo vetëm për Ukrainën, por për të gjithë Evropën.

Presidenti Putin fajëson në mënyrë të pandershme Ukrainën për agresionin e paprovokuar të Rusisë. Por gatishmëria ushtarake e Ukrainës si dhe Aleanca e NATO-s gjithmonë kanë qenë të natyrës së mbrojtjes. Ndryshe nga Rusia, Ukraina u ka dal zot angazhimeve të veta që rrjedhin nga marrëveshjet e Minskut midis Rusisë, Ukrainës dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, të cilat ishin krijuar për të siguruar një armëpushim në Donbas.

Ajo që Putini druan më së shumti është se vlerat demokratike dhe ushtrimi i të drejtave themelore të njeriut do të vazhdojnë gradualisht të dobësojnë kontrollin e tij ndaj pushtetit. Në përgjigje të kësaj, Rusia ka qenë e paepur në përpjekjet e saj për të cenuar demokracinë ukrainase përmes dezinformimit dhe kërcënimit ushtarak. Me pak fjalë, veprimet e Rusisë janë të rrezikshme dhe destabilizuese.

Mbështetje për Ukrainën

Shtetet e Bashkuara mbështesin me përkushtim sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Së bashku me aleatët dhe partnerët tanë, ne do të ndihmojmë Ukrainën në përpjekjet e saj për të mbrojtur veten kundër agresionit të mëtejshëm rus. Do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet e Ukrainës për të çuar përpara reformat demokratike dhe kundër korrupsion dhe për të rivendosur dhe siguruar kufijtë e saj të njohur ndërkombëtarisht.

Interesat e sigurisë evropiane dhe amerikane janë në rrezik

Siç tha sekretari Blinken kur foli në Berlin më 20 janar, këtu shumë gjëra janë në rrezik. Është e vërtetë që po flasim për të ardhmen e Ukrainës por edhe për parimet që e kanë bërë botën më të sigurt dhe më të qëndrueshme për dekada.

Jemi thellësisht të përkushtuar ndaj asaj që po ndodh në Ukrainë, sepse i respektojmë këto parime, të cilat mbështesin paqen dhe sigurinë ndërkombëtare: se kufijtë dhe integriteti territorial i një shteti nuk mund të ndryshohen me forcë; se është e drejta e natyrshme e qytetarëve në një shtet demokratik të marrin vendime për vendin e tyre dhe të përcaktojnë të ardhmen e vendit të tyre; se të gjithë anëtarët e bashkësisë ndërkombëtare janë të detyruar nga rregullat e përbashkëta dhe duhet të përballen me pasoja nëse nuk i përmbushin zotimet solemne që bëjnë. Të lejosh Rusinë të shkelë këto parime pa u ndëshkuar do t’u dërgonte një mesazh të tjerëve në mbarë botën se këto parime janë të pavlera.

Thirrje për veprim

Shtetet e Bashkuara duan të vazhdojnë ndërtimin e koalicionit ndërkombëtar me partnerët në Evropë dhe gjetiu, të cilët e shohin qartë këtë kërcënim. Miqtë tanë në Maqedoninë e Veriut kanë rëndësi kritike në këtë drejtim. Uniteti dhe vendosmëria jonë e përbashkët transatlantike është mjeti më efektiv që kemi për të kundërshtuar agresionin rus. Ne jemi të përkushtuar ndaj diplomacisë dhe e kemi bërë të qartë se rruga diplomatike ofron zgjidhjen e vetme të qëndrueshme për të gjithë.

Megjithatë, nëse Rusia zgjedh rrugën tjetër dhe vazhdon me pushtimin e Ukrainës, jemi të gatshëm dhe të rreshtuar me partnerët dhe aleatët tanë për të imponuar pasoja masive ndaj Rusisë, siç u konfirmua së fundmi nga G7, BE dhe NATO. Këto do të ishin sanksione të rëndësishme – financiare, ekonomike dhe të tjera që nuk i kemi vendosur në të kaluarën. Ne gjithashtu do të forconim mbrojtjen e Ukrainës dhe NATO-s sipas nevojës, pikërisht atë që Putin pretendon se nuk e dëshiron.

Kërcënimi i Rusisë ndaj Ukrainës është një kërcënim për vlerat demokratike kudo. Amerikanët dhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut duhet t’i qëndrojnë pranë Ukrainës për të siguruar një Evropë të lirë dhe të qëndrueshme e cila është në interesin më të mirë të popujve demokratik, qofshin ata amerikanë apo qytetarë të Maqedonisë së Veriut apo të tjerë mbarë globit.

Koment nga ambasadorja e SHBA-së Kejt Mari Bërnz për gjendjen në Rusi dhe Ukrainë