Nga shtatori në tetor, donacionet ranë me 51%. Sipas një vlerësimi të SARI Global, të cituar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, mbi 70% e popullsisë së Gazës, gati 1.9 milionë njerëz, jetojnë në zona të ekspozuara ndaj shiut, erërave të forta dhe dallgëve bregdetare pa infrastrukturë funksionale

Mbledhësit e fondeve për civilët palestinezë në Gaza po përballen me një rënie “katastrofike” të donacioneve që prej shpalljes së armëpushimit në tetor. The Guardian shkruan se donacionet e mbledhura nga vullnetarët dhe të shpërndara tek familjet në nevojë, që jetojnë në strehimore të përkohshme dhe vuajnë nga sëmundje, uria dhe kequshqyerja, janë bërë më të vështira për t’u siguruar, sipas organizatorëve, shumë prej të cilëve kanë menaxhuar nisma vullnetare për palestinezët në Gaza përmes platformave të palëve të treta gjatë dy viteve të fundit.

Megan Hall, e bazuar në Australi, administron 95 fonde të tilla ndihme për familje individuale në Gaza përmes rrjeteve sociale dhe ka mbledhur mbi 200 mijë dollarë që nga shkurti i vitit 2024. Hall tha se megjithëse donacionet nisën të ngadalësohen në shtator, ato ranë ndjeshëm pas hyrjes në fuqi të armëpushimit më 10 tetor. Gjatë luftës, ajo arrinte të dërgonte rreth 5 mijë dollarë në javë për njerëzit në Gaza. Në tetor, ajo mblodhi vetëm pak më shumë se 2 mijë dollarë në të gjitha fushatat e saj.

“Rënia e donacioneve është katastrofike. Ndihet sikur me të ashtuquajturin ‘armëpushim’ bota mendon se palestinezët nuk kanë më nevojë për ndihmën tonë,” tha Hall. “Ndihma e ndërsjellë i ka mbajtur gjallë njerëzit për dy vite. Tani, duke hyrë në dimër dhe pasi janë zhvendosur kaq shumë herë, shumë prej tyre nuk kanë as rroba dimri apo batanije”. Katër organizatorë të tjerë të fondeve të ndihmës së ndërsjellë i thanë The Guardian se edhe ata kanë parë rënie të fortë të donacioneve muajin e fundit. Ndryshe nga organizatat humanitare tradicionale me baza të mëdha shtetërore dhe private, fondet e ndihmës së ndërsjellë mbështeten tek donacionet e vogla, me vullnetarë që përdorin rrjetet sociale për të rritur dukshmërinë e palestinezëve, të cilët, kur kanë akses në internet dhe energji, gjithashtu përdorin rrjetet sociale për të nxitur donacionet.

Edhe disa organizata jofitimprurëse kanë vërejtur rënie dramatike të mbështetjes. Gaza Soup Kitchen ka mbledhur mbi 5.8 milionë dollarë në GoFundMe që nga shkurti 2024, duke shpërndarë 10 mijë vakte në ditë për njerëzit në Gaza. Nga shtatori në tetor, donacionet ranë me 51%. Sipas një vlerësimi të SARI Global, të cituar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, mbi 70% e popullsisë së Gazës, gati 1.9 milionë njerëz, jetojnë në zona të ekspozuara ndaj shiut, erërave të forta dhe dallgëve bregdetare pa infrastrukturë funksionale.

Një zëdhënës i Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) tha: “Shumica e tokës bujqësore është shkatërruar, shumica e bagëtive është shkatërruar dhe sistemi shëndetësor është i rrënuar. Dhe fakti që njerëzit janë zhvendosur vazhdimisht gjatë këtyre dy viteve do të thotë se mekanizmat e tyre të përballimit janë degraduar deri në asgjë. Armëpushimi do të thotë vetëm se ka më pak bomba mbi kokat e njerëzve. Nuk do të thotë se jeta e tyre u bë e mrekullueshme brenda natës, sepse shumica e Gazës është e shkatërruar”.

Organizatat e mëdha humanitare si Oxfam dhe Save the Children UK kanë raportuar gjithashtu rënie të donacioneve pas armëpushimit. Save the Children UK tha se donacionet nga marketingu në rrjetet sociale kanë rënë me një të tretën. Disa karvanë ndihme janë lejuar të hyjnë në Gaza nga Izraeli që prej armëpushimit, por vetëm tre nga shtatë pikëkalimet kufitare janë hapur, gjë që ka kufizuar shpërndarjen e ndihmës.

Për individët dhe familjet në Gaza që mbështeten tek fondet e ndihmës së ndërsjellë, jeta është shumë e vështirë. Ahmed al-Deeb, 28 vjeç nga Gaza City, tha se ka mbijetuar vetëm falë një fondi ndihme për të ushqyer dhe strehuar familjen e tij të zgjeruar prej 14 anëtarësh, përfshirë mbesën e tij dyvjeçare të sëmurë. Deri më tani, fondi ka mbledhur rreth 6 mijë e 500 dollarë për familjen. Nga maji deri në shtator, donacionet u rritën çdo muaj deri në gati 3 mijë dollarë në shtator. Por në tetor ranë në rreth 300 dollarë, ndërsa në nëntor vetëm pak mbi 150 dollarë.

Familja e tij u zhvendos në Deir al-Balah pas ofensivës tokësore të Izraelit në Gaza City në shtator. Për një tendë në një parcelë me 10 familje të tjera, ai paguante 300 dollarë në muaj. Në tetor, arriti të paguante qiranë vetëm duke marrë borxh. I shqetësuar për jetën në tendë gjatë dimrit, vendosi të kthehej në qytetin e Gazës për të gjetur një apartament të dëmtuar nga bombardimet. Ai ka gjetur një, por i duhen 400 dollarë në muaj, para që nuk i ka. “Unë nuk mund t’ju përshkruaj sa e keqe është situata,” tha ai. “Nëse nuk paguaj, pronari do të më nxjerrë jashtë”. Deeb tha se më shumë ushqime po bëhen të disponueshme në tregje dhe çmimet kanë rënë. Familja e tij mbijeton kryesisht me thjerrëza dhe makarona. Ndihma humanitare është e vështirë për t’u gjetur dhe ai nuk ka arritur të marrë asgjë për tetë muaj.

Mbledhësit e fondeve dyshojnë se rënia e donacioneve lidhet kryesisht me perceptimin publik se vuajtjet e palestinezëve kanë përfunduar. Por Hall tha se ka edhe faktorë të tjerë: pas dy vitesh dhurimesh dhe kostove të larta për evakuimin e njerëzve nga Gaza në shtator, ajo dhe shumë aktivistë të tjerë po mbeten pa para. Hall ka shitur mobiljet e saj për të mbledhur para për qiranë e një familjeje.

Të tjerë përmendin vështirësitë ekonomike të njerëzve të zakonshëm. Në SHBA, mbyllja e qeverisë ndaloi pagat për shumë punonjës publikë dhe ndikoi në përfitimet e sigurimeve shoqërore, ndërsa njerëzit në Mbretërinë e Bashkuar dhe vende të tjera po përballen me krizën e kostos së jetesës. Sipas Paul Biggar, drejtues i Tech for Palestine, kompanitë kryesore të rrjeteve sociale si Meta kanë pasur paragjykime algoritmike kundër përmbajtjes pro-palestineze, duke e bërë të vështirë për mbledhësit e fondeve të shihen jashtë rrethit të tyre të aktivizmit. Për 2 milionë njerëzit në Gaza, ka mbërritur një tjetër dimër i pasigurt. Deeb tha se pagesa e parë e qirasë i skadon së shpejti dhe nëse dëbohet, ai dhe familja e tij do të detyrohen të flenë në rrugë.

sqShqip