Maqedoni

Pa lejen e prindërve, drejtoresha e shkollës në Njegosh nxënësit shqiptarë i ka regjistruar në paralelet maqedone

13 fëmijët shqiptarë të Idrizovës që akoma nuk kanë nisur mësimin në klasë të gjashtë për shkak të mungesës së paraleles shqipe në shkollën fillore “Njegosh” tashmë figurojnë të regjistruar në paralelet maqedonase, pa lejen e prindërve.

Këto të fundit shprehen të revoltuar dhe kërkojnë nga ministri I Arsimit marrjen e menjëhershme të kompetencave.

“Jemi tepër të revoltuar se si mundet të merret pa pëlqimin tonë ai vendim. Kemi kërkuar nga inspektorati që të merren masa ndaj drejtoreshës dhe ndaj shkollës. Lajmërohet drejtoresha te çdo prind dhe thotë sillni nxënësit se kanë bë shumë mungesa. Kërkojmë nga ministri i Arsimit, më s’ka mbet çka me fol ose me vendos. Vendimin e ka ai në dorë, të ja merr kompetencat. Për këtë javë e kemi vendos, ose me hy me dhunë ose le t’ia bëj zgjidhjen ministri”, tha Rizvan Seferi, Këshilli i Prindërve.

Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri tha se për çdo shkelje nga drejtuesit e shkollës do të ketë përgjegjësi. Ndërkohë, nga Këshilli i Komunës së Gazi Babës, Shaqiri kërkoi të miratojnë kërkesën për hapjen e paraleles shqipe për klasën e gjashtë, që tashmë është dorzuar nga shkolla e Njegoshit.

“Në ditarin elektronik kanë rezultuar pa vullnetin e prindërve dhe për këtë kemi reaguar deri te komuna, është një situatë e re. E përsëris, nuk do të ndalojmë në cilën do formë. Ka filluar iniciativë edhe në Komisionin për diskriminim i cili do të komunikoj me secilin prindër, me secilin mësimdhënës, me drejtorin e shkollës për ta vërtetuar se realisht kemi me të vërtet diskriminim në Njegosh. Drejtoresha ka disa përgjegjësi të tjera të cilat janë vërtetuar, janë procedurat juridike që do të ecin për atë punë dhe nuk do të ndalojnë në këtë situatë pasi që edhe për këtë veprim do të ketë një procedurë tjetër juridiko ligjore”, theksoi Jeton Shaqiri, ministër I Arsimit.

Nga Komuna e Gazi Babës sërish përsëritën se po punojnë në zgjidhjen afatgjate, ndërtimin e shkollës së re në Idrizovë. 13 nxënësit shqiptar të Idrizovës akoma nuk kanë nisur klasën e gjashtë në vitin e ri shkollor për shkak se në shkollën fillore “Njegosh” të Komunës Gazi Babë nuk realizohet mësimi shqip nga klasa e gjashtë deri atë të nëntë.