May 21, 2024
Maqedoni

Osmani thotë se Gostivari është lënë pas dore! ASH e pyet pse fëmijët i shkollon në Karposh e jo në Çair?

Për t’i shpalosur kandidatët për kryetar komunash, Bashkimi Demokratik për Integrim zgjodhi pikërisht Gostivarin, qytet që aktualisht drejtohet nga Aleanca për Shqiptarët. Arsyeja për këtë, sipas zëdhënësit integrist Bujar Osmani është se për BDI-në Gostivari është i një rëndësie të veçantë, e këto katër vite është lënë pas dore.

“Sot nëpër rrugët e Gostivarit qen endacak dhe rrezikojnë jetën e njerëzve jetën e fëmijëve. Sot në Gostivar keni më tepër kazino se shkolla sot Gostivari është pa infrastrukturë bazike për shkak se krerët e komunës nuk merren me interesat e qytetarëve por mirën me politika madhore”, deklaroi Bujar Osmani nga BDI.

Kësaj deklarate të Osmanit i është kundërpërgjigjur Aleanca për Shqiptarët! Nga atje e pyesin Osmanin se pse fëmijët i ka çuar të shkollohen në një komunë tjetër, e jo në Çair?!

“Bujar Osmani të mos merret me Gostivarin sepse punët që janë bërë atje mund të jenë vetëm ëndërr për funksionarët e BDI-së. Le të tregojë Osmani përse fëmijët e tij i shkollon në Komunën e Karposhit dhe jo në Komunën e Çairit që e qeverisin për 20 vite”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

Integristët Gostivarin e synojnë me ish kryetarin Nevzat Bejta, ndërsa nga Aleanca për Shqiptarët e kanë konfirmuar rikandidimin e kryetarin aktual Arben Taravari. Ndërkaq Lëvizja Besa në Gostivar garon me Fadil Zendelin, aktualisht deputet dhe nënkryetar i Kuvendit. Edhe nga Partia Demokratike Shqiptare do të kandidate me Renata Elezi./TV21