Osmani thotë se Erdogan mund ta bindë Vuçiqin që Serbia ta njohë Kosovën
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se roli i presidentit të Turqisë, Recep Erdogan, do të ishte i rëndësishëm në dialogun Kosovë – Serbi, pasi që homologu i saj turk do të mund ta bindte presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që shteti fqinj ta njohë Kosovën, si dhe që t’i përmbahet marrëveshjeve të arritura në Bruksel.
“Besoj se presidenti Erdogan mund të ketë një rol shumë të rëndësishëm për të bindur Vuçiqin se e vetmja rrugë përpara për paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor është që Serbia ta njohë Kosovën. Kjo është një zgjidhje e përbashkët, sepse kjo në fakt sjell paqe afatgjate. Ne duhet të punojmë për këtë dhe besoj se roli i presidentit Erdogan është i rëndësishëm, por në të njëjtën kohë e dimë se dialogu tani është i udhëhequr nga BE. Janë arritur disa marrëveshje, por i vetmi problem është që Serbia nuk i zbaton marrëveshjet. Dhe besoj se këtu presidenti Erdogan mund ta bindë Vuçiqin që të mbajë premtimet”, tha Osmani në një intervistë për televizionin shtetëror turk, TRT World, transmeton Klankosova.tv.
Presidentja po ashtu tha se marrëdhëniet mes saj dhe homologut turk janë në nivel shumë të lartë.
“E shkëlqyeshme, marrëdhëniet e Kosovës dhe Turqisë, dhe po ashtu marrëdhëniet e mia dhe bashkëpunimi i ngushtë me presidentin Erdogan janë në nivel shumë të lartë. Dhe do të doja ta falënderoj Turqinë dhe presidentin për mbështetjen”, shtoi Osmani.
“Pres që së shpejti Erdogan të vijë për vizitë në Kosovë dhe ta presim atë në mënyrën më të mirë“.