April 29, 2024
Kosovë

Osmani: S’duhet të lejojmë Vuçiqin të realizojë planin e Putinit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, akuzoi Serbinë se po synon të zbatojë një plan destabilizues në Ballkanin Perëndimor, të ngjashëm me atë, siç tha ajo, që e realizoi Rusia në Ukrainë më 2014. Osmani, që qëndroi në vizitë zyrtare në Shqipëri, tha se të gjitha shtetet demokratike në rajon nuk duhet të lejojnë zbatimin e këtij plani. Ajo iu referua nisjes së konfliktit mes separatistëve të mbështetur nga Rusia me forcat ukrainase në rajonin lindor të Donbasit dhe aneksimit të Gadishullit të Krimesë nga Moska. Gjatë konferencës me homologun Bajram Begaj, Vjosa Osmani deklaroi se Kosova ka nevojë për mbështetjen e Shqipërisë, duke theksuar se “jemi dy shtete, por fatet i kemi të ndërthurura”.

“Nuk është situata në veri ajo që ka acaruar dialogun Kosovë-Serbi. Është Serbia ajo që gjithnjë acaron situatën në rajonin tonë nëpërmjet sulmeve të njëpasnjëshme ndaj Kosovës. Nuk ka javë që kalon që dikush nga Serbia nuk gjuan me armë policët e Kosovës që janë në territorin e Kosovës. Duke zbatuar në përpikëri planin që [presidenti rus, Vladimir] Putini kishte zbatuar në vitin në vitin 2014 kundër Ukrainës, [presidenti serb, Aleksandar] Vuçiqi dhe Serbia po synojnë ta destabilizojnë të gjithë Ballkanin Perëndimor, e nëpërmjet destabilizimit të rajonit tonë të atakojnë vlerat dhe sistemin e vlerave mbi të cilët qëndrojnë BE-ja dhe NATO-ja”, deklaroi Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës.

Presidenti shqiptar Bajram Begaj tha se “Shqipëria mbështet fuqishëm aspiratat e Kosovës për integrim euroatlantik” duke shtuar se “askush nuk ka pse çuditet përse Kosova është një prioritet kombëtar i Shqipërisë”

“Gjatë takimit me presidenten Osmani vëmendja kryesore u përqendrua në forcimin e thellimit të mëtejshëm të partneritetit strategjik në të gjitha aspektet. Nënvizova se marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë duhet të jenë gjithmonë të mira dhe duhet të udhëhiqemi nga interesi kombëtar për të thelluar bashkëpunimin në të gjitha nivelet, politik, ekonomik, social dhe kulturor si dhe për të avancuar në progreset integruese euroatlantike”, tha Bajram Begaj, President i Shqipërisë.

Begaj tha se pjesëmarrja e tij në Asamblenë e OKB-së do të ketë në fokus çështjet e njohjes së Kosovës.

“Pjesëmarrja ime në Asamblenë e OKB-së do të ketë në fokus çështjet e njohjes së Kosovës. Vëmendje i kushtuam edhe bashkëpunimit në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe integrimit euroatlantik, ku ndër të tjera shpreha besimin për përmbylljen së shpejti të procesit të liberalizimit të vizave nga BE për qytetarët e Kosovës. Ky është një veprim i vonuar por me shumë rëndësi praktike por edhe morale për gjithë qytetarët e Kosovës”, u shpreh Bajram Begaj, President i Shqipërisë.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani komentoi edhe raportet e dy kryeministrave Kurti dhe Rama për çka shtoi se çdo diskutim i momentit që mund të ketë involvuar mospajtime është tejkaluar. Edhe presidenti shqiptar Bajram Begaj tha se nuk kanë rëndësi mosmarrëveshjet e momentit. Ai shtoi se karakteri strategjik i marrëdhënieve mes të dyja vendeve ka një rol unik për stabilitetin, sigurinë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe perspektivën euroatlantike.