May 15, 2024
Maqedoni

Mexhiti: Përgjegjësia bie mbi drejtuesit e mëparshëm të Onkologjisë

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti shprehu keqardhje për skandalin në Klinikën e Onkologjisë dhe kërkoi nga organet kompetente që të zbardhin emrat e fajtorëve sa më shpejtë që është e mundur. Ai tha se nuk ndjehet përgjegjës për ndodhitë në Onkologji dhe përgjegjësia bie mbi udhëheqësit e mëparshëm të Ministrisë dhe Klinikës. I pyetur nëse për gjashtë muaj në pozitën e Ministrit ka arritur të kuptojë se kush janë fajtorët për keqpërdorimet me terapitë e pacientëve, Mexhiti tha se këtë duhet ta dëshmojnë organet përgjegjëse.

“Për herë të parë prokuroria dhe policia për ndjekjen e krimit të organizuare ka hyrë në Klinikën e Onkologjisë, kjo nuk ka ekzistuar përpara, për atë që ne kemi qenë transparent dhe në bashkëpunim me të gjithë. Por për hir të disa proceseve kur rastet janë në Prokurori neve nuk na mundësohet të japim informata më tepër”, tha Fatmir Mexhiti, Ministër i Shëndetësisë.

Drejtoresha e Klinikës së Onkologjisë, Violeta Klisarovska, thotë se motra për të cilën dyshohet se i ka keqpërdorur ilaçet, ka qenë dy herë e larguar nga puna.

“Më 28 shkurt, personi pjesë e stafit mjekësor është përpjekur përsëri të bëjë vjedhje, me dëshmi nga institucionet kompetente u largua nga institucioni jonë. Më gjashtë mars ajo mori nga ne shkresë për largim nga vendi i punës. Për shkak të procedurave administrative të policisë e kishim patjetër ti respektojmë. Dhe të gjitha pjesët tjera administrative për krijimin dhe zbatimin e procedurës disiplinore më 23 maj 2023 iu dha edhe vendimi -për largim nga puna”, u shpreh Violeta Klisarovska, drejtore e Klinikës së Onkologjisë.

Të pyetur nëse e dinë saktë se kush nga personeli mjekësor i kanë vjedhur dhe shitur barnat, ministri Mexhiti dhe drejtoresha Klisarova thanë se kanë informacione por nuk shpalosën detaje. Ata kërkuan nga mediat dhe qytetarët që për këtë rast të mos e akuzojnë të gjithë personelin mjekësor.