Kosovë

Osmani për BBC: Ndihmoni afganët, nëse e bën një shtet i vogël si Kosova, gjithkush mund ta bëjë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u bëri thirrje vendeve demokratike të mos hezitojnë të strehojnë afganët që po largohen nga vendi i tyre për shkak të regjimit të talebanëve.

“Askush nuk largohet sepse do, por për shkak të dëshpërimit. E për këtë arsye do t’u bëja thirrje të gjitha qeverive demokratike qe të japin një dorë, njëlloj siç bënë me ne këtu në Kosovë dhe të strehojnë këta njerëz që janë detyruar të largohen. Nëse Kosova, një vend shumë i vogël në Ballkan, mund ta bëjë këtë, çdo shtet tjetër mund ta bëjë, duhet vetëm të tregojmë zemrën e madhe”, tha Osmani në një intervistë për BBC.

Ajo zbuloi që bisedimet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara vijonin prej disa muajsh dhe vendimi final për strehimin e afganëve, të paktën përkohësisht, u mor në korrik. “Besoj se, që në atë kohë kishte të paktën disa informacione që personat që kanë punuar me ushtrinë amerikane mund të ishin në rrezik, por ne ishim gati dhe e treguam gatishmërinë tonë”.

Të paktën 1000 afganë pritet të vijnë edhe në Shqipëri, ndërsa Maqedonia e Veriut ka deklaruar se do të presë 450. Ata janë të gjitha bashkëpunëtorë të Shteteve të Bashkuara në Afganistan, të cilët do të transferohen përfundimisht atje pas qëndrimit në Ballkan. /a2news