Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit të saj në Bruksel, është takuar me Presidentin e Këshillit të Bashkimit Evropian, António Costa.
Pas takimit, Presidentja Osmani ka bërë të ditur se Kosova mirëpret vendimin e Bashkimit Evropian për heqjen e pjesshme të masave, duke shprehur shpresën dhe angazhimin që ato të hiqen sa më parë në tërësi.
Ajo ka theksuar se Republika e Kosovës ka dëshmuar konstruktivitet, bashkëpunim dhe përputhshmëri të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian, duke përmbushur të gjitha kushtet e përcaktuara nga vetë BE-ja, pavarësisht se, sipas saj, ato kanë qenë të padrejta.
“Nuk ka asnjë arsye që të pengohet apo të shtyhet heqja e masave të tjera të mbetura”, ka theksuar Osmani, duke nënvizuar se Kosova meriton trajtim të barabartë dhe të drejtë.
Në këtë takim, Presidentja Osmani ka potencuar gjithashtu rëndësinë e mbështetjes së shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, në mënyrë që Kosova, mbi bazën e meritave, të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. /Lajmi.net/

