Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka deklaruar se gjatë procesit për zgjedhjen e kreut të shtetit kishte zhvillime që ajo nuk i kishte pritur nga aleatët e saj politikë.
Në një intervistë televizive, Osmani tregoi se gjatë negociatave për votimin në Kuvend, kryeministri Albin Kurti i kishte kërkuar që të përpiqej të bindte deputetët e opozitës që të qëndronin në sallë, në mënyrë që të plotësohej kuorumi për zhvillimin e votimit.
Sipas saj, ideja ishte që të shihej nëse do të kishte numrin e nevojshëm të deputetëve në sallë për të vijuar procesin e zgjedhjes së presidentit. Osmani tha se kishte pasur kontakte dhe garanci nga disa deputetë që nuk do ta bojkotonin seancën.
Megjithatë, ajo shtoi se ndërkohë që po përpiqej të siguronte praninë e opozitës në Kuvend, po zhvilloheshin edhe diskutime për kandidatë të tjerë për postin e presidentit.
“Nuk e kam kushtëzuar Kurtin asnjëherë. E vetmja gjë që kam propozuar është që të më jepet një shans që të shkojmë në sallë, të shohim sa deputetë do jenë në sallë sepse kisha kontakte me deputetë e garanci që nuk do të bojkotonin.
Çfarë ndodhi ishte që prapa shpinës sime punohej me shumë kandidatë të tjerë dhe unë e kuptoja nga televizioni, që po punohej me kandidatë të tjerë teksa mua m’u tha të provoja të bindja opozitën”, tha Vjosa Osmani.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur një masë të përkohshme për pezullimin e dekretit të Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja parlamentare.
Sipas vendimit të Gjykatës, masa do të mbetet në fuqi deri më 31 mars, ose deri në një vendim përfundimtar për çështjen.
Gjatë kësaj periudhe, presidentes Osmani i ndalohet të ndërmarrë veprime të mëtejshme lidhur me dekretin, ndërsa edhe Kuvendi nuk mund të marrë vendime që lidhen me të.

