May 11, 2024
Maqedoni

OSBE-ja po i monitoron 24 raste gjyqësore të korrupsionit të lartë, përfshirë edhe ish lëndët e PSP-së

Misioni i OSBE-së në Shkup vazhdon me monitorimin e proceseve gjyqësore të nivelit të mesëm dhe të lartë të krimit të organizuar dhe korrupsionit, në kuadër të projektit të përbashkët me Bashkimin Evropian “Mbështetja për administrim më efektiv të drejtësisë në rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Maqedoninë e Veriut përmes monitorimit të gjykimeve”.

“Monitori ja filluar në korrik të vitit 2021 dhe aktualisht ekipi po monitoron 21 raste (përfshirë edhe ish rastet e Prokurorisë Speciale Publike) në faza të ndryshme gjykimi. Objektivi është monitorimi i 50 rasteve të krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të mesëm dhe të lartë”, thonë nga OSBE-Shkup për Portalb.mk.

Ata informojnë se për monitorimin e rasteve gjyqësore do të publikojnë dy raporte, të cilat do të jenë publike.

“Do të ketë dy raporte publike, njëri në vitin 2022 dhe raporti përfundimtar në fund të projektit, pra në fund të vitit 2023”, shtojnë nga OSBE.

Ndryshe, projekti tre-vjeçar synon përmirësimin e administrimit të drejtësisë dhe uljen e korrupsionit dhe krimit të organizuar, të domosdoshme për përmbushjen e kritereve të anëtarësimit në BE.