Opozita shqiptare: Kuvendi të miratojë pikën për anëtarin e KSHZ-së
Opozita shqiptare kërkon që në seancën e së enjtes, Kuvendi të miratojë pikën për anëtarin e KSHZ-së, që sipas Kodit Zgjedhor i takon opozitës.
Sipas deputetit, Fadil Zendeli, pushteti dhe kreu i Kuvendit deri më tani e kanë zvarritur këtë çështje edhe pse e kanë ditur se nuk mund t’i shmangen dhe se zgjidhje tjetër nuk guxojnë të bëjnë për shkak se bien ndesh me ligjin.
Zendeli i kërkoi shumicës parlamentare që të dëshmojë vlera demokratike dhe të votojë për pikën e paraparë për anëtarin e KSHZ-së.
“Kërkesa jonë është e vendosur si pika e 15 e rendit të ditës, andaj i bëjmë thirrje kreut të Kuvendit dhe deputetëve të pushtetit, se nëse dëshirojnë zgjedhje korrekte dhe demokratike dhe se vërtetë janë të angazhuar për zbatim të vlerave Evropiane atëherë bashkërisht të shqyrtojmë propozimin e opozitës shqiptare dhe të përmbushim këtë detyrim kushtetues”, tha Fadil Zendeli, Deputet i Lëvizjes Besa.