July 27, 2024
Maqedoni

Nis realizimi i projektit për pastrimin e shtratit të lumit Vardar

Ministria e Mjedisit, UNDP dhe Ambasada e Zvicrës kanë filluar realizimin e projektit për pastrimin e shtratit të lumit Vardar, me theks të veçantë, në pjesën kritike të tij, në fshatin Tudencë, ku edhe shpesh si pasojë e daljes nga shtrati, ka vërshuar shtëpitë e këtij rajoni, shkruan Alsat.

Projekti kap një gjatësi prej 8.5 kilometrash ndërsa do të realizohet me financim të përbashkët të shtetit Zviceran përmes UNDP-së dhe një pjesë e tij do të realizohet me mjetet vetanake të komunës së Jegunocit.

“Një nga hapat më të rëndësishëm për shmangien nga vërshimet është rregullimi i shtretërve të lumenjve dhe me këtë gjë po fillojmë sot. Kjo do të thotë, pastrimi i shtratit të lumit nga materialet ndërtimore që janë hedhur si dhe rregullimin e vegjetimit të vetë shtratit të lumit që e pengon rrjedhën e lumit. Domethënë këtu do të punohet për 8.5 kilometër ndërsa i gjithë projekti në të dy komunat pra në Jegunovcë dhe Gostivar do të jetë 17 kilometër. Gjithashtu do të intervenohet në 12 pikat më kritike me gjatësi prej rreth 1 kilometër”, tha Kaja Shukova, ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë.

“Siç kemi parë shumë herë gjatë viteve të kaluar por edhe në qershor të këtij viti, rreziqet për vërshimet në pjesën e epërme të vardarit janë të larta dhe pronat por edhe banorët që banojnë në këtë zonë janë të rrezikuar. Reshjet e dendura të shiut shpesh herë kanë rrezikuar ata që jetojnë rreth lumit Vardar. Nevoja për të intervenuar në mënyrë urgjente është jetike, dhe jam i lumtur të ju prezantoj se UNDP së bashku me Ministrinë e Mjedisit është pjesë e projektit për të përmirësuar kushtet kundër vërshimeve në rajonin e Pollogut të financuara nga Qeveria e Zvicrës”, u shpreh Armen Gregorian UNDP.