Maqedoni

Omer Ajdini: BDI po feston në 6 mujorin e vdekjes së Rexhail Qerimit (Video)

Kryetari i Forumit Rinor të Aleancës për Shqiptarët (FRASH), Omer Ajdini, ka komentuar festën e paralajmëruar të BDI-së për 20 vjetorin e themelimit të saj. Sipas Ajdinit, kjo parti po feston turpin e saj dhe mjerimin e shqiptarëve. Në një prononcim për gazetën LAJM, tha se festa organizohet në kohën që po kalojnë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

“Nuk e di me çfarë arsye dhe me çfarë logjike organizohen festa të tilla në kohë më të vështirë për RMV-në dhe shqiptarët këtu. Nuk janë bërë as 6 muaj prej kur vdiq Rexhail Qerimi në duart e këtij sistemi të padrejtësisë që e ka ndërtuar pikërisht kjo parti dhe funksionarët e kësaj partie që po festojnë këto ditë. Nuk e di me çfarë logjike festojnë këta kur nëpër burgjet e Maqedonisë dergjen njerëz të pafajshëm shqiptarë, për të cilët kjo parti politike ka dështuar që të ndërtojë një system të mirëfilltë të drejtësisë që për ta të ketë drejtësi dhe të mos dergjen burgjeve, ashtu siç u dergj dhe vdiq Rexhail Qerimi”, tha mes tjerash Ajdini.