Anëtarët serbë të Forcave të Armatosura të Bosnjës dhe Hercegovinës nuk morën pjesë në akademinë ceremoniale me rastin e 20-vjetorit të Ditës së Forcave të Armatosura të Bosnjës dhe Hercegovinës dje në Shtëpinë e Forcave të Armatosura në Sarajevë.
Siç u konfirmua për mediumin boshnjak Klix.ba, arsyeja e mungesës së tyre ishte prania e delegacioneve nga konferenca A5, konkretisht përfaqësuesve të Kosovës, raporton KosovaPress.
Shefi i Shtabit të Përbashkët Gojko Knezheviq, dhe zëvendësministri i Mbrojtjes Aleksandar Goganoviq, nuk morën pjesë në ceremoni, ndonëse kishin marrë pjesë më parë në shënimin dhe festimin e Ditës së Forcave të Armatosura në kazermat Rajlovac.
Në pjesën zyrtare të programit, ministri i Mbrojtjes Zukan Helez tha se 20 vjet të ekzistencës së Forcave të Armatosura të BeH përfaqësojnë shembullin më të mirë të reformave të suksesshme dhe provën se një shtet i përbashkët mund të funksionojë.
“Kjo është një histori guximi, përgjegjësie dhe besimi në një të ardhme të përbashkët”, tha Helez, duke falënderuar Selinë e NATO-s në Sarajevë, EUFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e tyre në modernizimin dhe zhvillimin e Forcave të Armatosura të BeH.
Anëtari i Presidencës së BeH Denis Beçiroviq, theksoi se zhvillimi dy-dekada i Forcave të Armatosura ka ndërtuar besueshmërinë e tyre brenda dhe jashtë vendit.

