April 29, 2024
ShqipëriSport

Oferta nga gjysma e Europës, Jasir Asani ëndërron Serie A që në janar

Tre gola vendimtarë dhe dy asist në gjashtë ndeshjet kualifikuese të Shqipërisë. Dy herë fitues i çmimit goli më i bukur nga UEFA. Rrjeta me peshë, që kanë nënshtruar kundërshtarë me emër si Polonia dhe Çekia.

Jasir Asani është ylli i momentit të Shqipërisë, që ëndërron të luajë në Serie A italiane. Një dëshirë që mund të realizohet në merkaton e janarit.

Më kërkojnë në Itali, Gjermani, Arabi dhe Spanjë. Në janar do të transferohem te një nga këto liga. Si çdo shqiptar, jam i fiksuar pas Serie A. Në Shqipëri, përveç klubit tonë të zemrës, të gjithë mbështesin një skuadër italiane”, tha Asani.
Asani foli edhe për mbështetjen e tifozëve fantastikë të Kombëtares.

“Jam i bindur se nëse në Tiranë do të kishim një stadium si “Camp Nou”, shqiptarët do ta mbushnin plot. Jemi të çmendur për futboll”.

Aktualisht, 28-vjeçari luan te Guan-gju, por me ofertat nga ligat më prestigjioze, aventura në Korenë e Jugut pritet të përfundojë pas pak javëve.