May 7, 2024
Maqedoni

Numri i të punësuarve rritet me 2% në tremujorin e katërt të 2023. Pagat u rritën me 14%

Numri i të punësuarve me pagë në ekonominë shqiptare arriti në 730 mijë vetë në tremujorin e katërt të vitit të kaluar, me një rritje 2% në bazë vjetore, bëhet e ditur nga INSTAT. Pagat u rritën me 14% gjatë të njëjtës periudhë.

Numri i të punësuarve me rrogë në Shqipëri arriti në 730 mijë vetë, me një rritje 2% me bazë vjetore, bëhet e ditur nga të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave, të cilat i referohen deklaratave të bizneseve dhe enteve të tjera në tatime. Nga të punësuarit, 549 mijë i përkasin sektorit privat ndërsa 181 mijë i përkasin sektorit publik, ku përfshihen administrata publike, pushteti vendor dhe ndërmarrjet nën pronësi publike, të tilla si ujësjellësat, klubet sportive apo ndërmarrjet e sektorit të energjisë elektrike.

Zyrtarisht në Shqipëri konsiderohen si të punësuar 1.32 milionë vetë dhe të papunë, 158 mijë vetë. Popullsi inaktive, pra qytetarë që janë në moshë pune por që nuk punojnë për shkaqe të ndryshme vlerësohet të jenë 836 mijë vetë. Por vetëm 55% e të punësuarve marrin rrogë mujore dhe paguajnë sigurime shoqërore. Pjesa tjetër prej 590 mijë vetësh konsiderohen “të vetëpunësuar”, ku përfshihet e gjithë popullsia në zonë rurale si dhe një kategori shqiptarësh që cilësohen si “të punësuar pa pagesë pranë familjes” dhe që në përgjithësi janë gra. Përveç 590 mijë “të vetëpunësuarve”, vendi ka edhe 160 mijë të papunë.