Rajon - Botë

“Nuk ka mbetur asgjë”, tërmeti shton vuajtjet në Sirinë e shkatërruar nga lufta

Njerëzit që jetojnë në Sirinë veriperëndimore janë mësuar të zgjohen natën nga shembja e ndërtesave. Shpesh, shkatërrimi shoqërohet nga zhurma e avionëve që fluturojnë, ndërsa Bashar al-Assad dhe aleatët e tij rusë hedhin bomba në shkolla, spitale dhe infrastrukturë tjetër civile.

E kapur mes regjimit të Damaskut dhe grupeve militante në kontroll të zonës, jeta për popullsinë e vlerësuar prej 4.5 milionë është tashmë shumë e vështirë me sulmet ajrore, apo edhe me luftime në disa zona.

91 përqind e njerëzve në këto zona janë të varur nga ndihma e jashtme për të mbijetuar.

Tërmeti me magnitudë 7.8 që goditi rajonin në orët e para të së hënës dhe goditja e dytë e fortë disa orë më vonë, nuk kanë bërë asgjë tjetër veçse kanë shtuar vuajtjen e këtyre banorëve.

“Në fillim mendova se ishin helikopterët që hidhnin bomba. U zgjova dhe shkova të merrja djalin tim. Ne jemi mësuar të nxjerrim njerëz nga rrënojat, por kjo është ndryshe. Kaq shumë njerëz janë ende të bllokuar dhe ata do të vdesin sepse ne nuk kemi pajisje të mjaftueshme për t’i arritur të gjithë. Nuk ka mbetur asgjë, asgjë fare”, tha Ismail Alabdullah, 36 vjeç.