Izraeli vazhdon bombardimet në Rripin e Gazës, vriten dhjetë palestinezë nga një sulm ajror

Bombardimet e Izraelit në Rripin e Gazës kanë vazhduar edhe në orët e hershme të së shtunës, ku një sulm ajror në një shtëpi vrau të paktën dhjetë palestinezë, të cilët kryesisht ishin fëmijë dhe që ishte edhe numri më i lartë i viktimave nga një goditje e vetme.

Një breshëri e egër izraelite të premten vrau një familje prej gjashtë anëtarësh në shtëpinë e tyre dhe mijëra të tjerë kanë shkuar në strehimoret e drejtuara nga OKB-ja.

Ushtria tha se operacioni përfshiu 160 aeroplanë luftarakë që hodhën rreth 80 ton eksploziv gjatë 40 minutash dhe patën sukses në shkatërrimin e një rrjeti të gjerë tunelësh të përdorur nga Hamasi, shkruan Associadet Press, transmeton KlanKosova.tv.

Raportohet se të paktën 126 njerëz janë vrarë në Gaza që nga shpërthimi i përplasjeve pesë ditë më parë.

Militanët e Hamasit kanë lëshuar rreth dy mijë raketa në Izrael, ku shtatë njerëz janë vrarë duke përfshirë një djalë gjashtë vjeç dhe një ushtar.