Nuk avancohet gjykatësi shqiptar që e “shpëtoi” Mijallkovin edhe pse kishte përkrahje nga gjykatësit e afërt me BDI-në?
Nuk avancohet gjykatësi shqiptar që e “shpëtoi” Mijallkovin edhe pse kishte përkrahje nga BDI?
Seksioni penal në Gjykatën Supreme do të vazhdojë të funksionojë etnikisht i pa-balancuar si dhe me numër të vogël të gjykatësve pasi që sot Këshilli Gjyqësor nuk arriti të zgjedhë asnjë nga 5 kandidatët për këtë pozitë. Aktualisht në seksionin penal të gjykatës më të rëndësishme në vend ka vetëm një gjykatëse maqedonase, tre shqiptarë dhe një serbe ndërsa për shkak të numrit të vogël të gjykatësve, rrezikohet funksionimi i këtij seksioni.
Ndër kandidatët ishte edhe gjykatësi i Apelit, Enver Bexheti për të cilin Këshilli Gjyqësor muaj më herët kishte konstatuar se kishte mbajtur të fshehur në sirtar për 9 muaj lëndën “Target-Fortesa” ku të akuzuar janë Mijalkov, Gruevski dhe ish të punësuar tjerë të Policisë Sekrete dhe kështu, ka vendosur në rrezik mundësinë e vjetërsimit të saj.
Këto konstatime të institucionit ku vetë ata janë pjesë si dhe përmendja e këtij rasti në raportin e Departamentit të Shtetit nuk ju kishin lënë përshtypje katër anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, të cilët edhe pse nuk ia dolën, megjithatë i dhanë besimin Bexhetit për t’u avancuar në gjykatën më të rëndësishme në vend.
Kandidatë tjerë ishin Zoran Dimitrijevski, Danka Ristova, Tatjana Dukovska dhe Enver Amzai ndërsa përkundër biografisë dhe pikëve të fituara të ndryshme, ishte ironike fakti që pjesa më e madhe e kandidatëve morën numrin e njëjtë të votave.
“Një pjesë e mediave raportoi se jozyrtarisht ky rezultat është për shkak se disa anëtarë që konsiderohen të afërt me BDI-në kanë insistuar që Bexheti të zgjedhet dhe pasi ai nuk ka kaluar, kanë votuar kundër të gjithë kandidatëve tjerë”, raporton televizioni Kanal 5.
Ambiciet e gjykatësit Enver Bexheti nda të cilit Këshilli Gjyqësor kishte konstatuar shumë parregullsi në punë nuk ndaluan me kaq. Ai kishte kandiduar edhe për në seksionin civil të Gjykatës Supreme – por, as këtu nuk ia doli të zgjidhet, raporton Alsat M.
Këshilli Gjyqësor në Gjykatën e Apelit në Gostivar zgjodhi kandidatët Daut Rustemi dhe Aleksandar Milloshevski ndërsa kryetar i Gjykatës Themelore në Tetovë u rizgjodh Hasan Asani. Ndryshe, kuadri i pa-mjaftueshëm në gjykatat e vendit vazhdon të ngelet ndër shqetësimet kryesore pasi që kjo rrezikon efikasitetin e punës së gjykatave. Nga Këshilli Gjyqësorë synojnë të mbushin zbrazëtirat me të sapodiplomuarit e Akademisë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publik, pjesa më e madhe e të cilëve rezultuan të jenë familjarë dhe të afërm të politikanëve në pushtet.