April 29, 2024
Kolumna

“Një shtet pa brekë”

Anisa Bahiti

Ajo që ndodhi me publikimin e të gjitha të dhënave personale për 680 mijë qytetarë, përfshi kartat e identitetit, pagat dhe vendet e punës , përveçse tragjikomike dhe kriminale, është edhe e paimagjinueshme.

Duke shfletuar emrat, përveç pabarazisë së madhe sociale që sheh, kalbësisë së shtetit, dallon dhe pjesën më kriminale të kësaj që ka ndodhur. Janë shënuar me emra, mbiemra, detyra dhe grada të gjithë drejtuesit e Forcave të Armatosura Shqiptare, të njësive të saj, të Shërbimit Sekret Ushtarak, të Policisë Ushtarake, të reparteve speciale, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Shtetit, të Shërbimit Inteligjent të Ministrisë së Brendshme, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Ministrisë së Drejtësisë apo ndryshe të Burgjeve, së bashku me të gjithë personelin e institucioneve të Burgjeve.

Shqipëria është vend i NATO-s që nga viti 2008, d.m.th. 14 vjet më parë të gjithë këta shërbyes të shtetit të këtyre institucioneve të veçanta, duhet të ishin të mbrojtur me masa të posaçme, jo vetëm për të dhënat e tyre personale, por mundësisht edhe të familjarëve të tyre.

Çdo të duhet të ndodhë me një ushtarak që ka punuar operativ në terren, në Afganistan, për shërbimet e NATO-s si gjoja punëtor humanitar??? A mund t’i rrezikohet jeta atij dhe familjes së tij nëse në njërin nga këto operacione gjërat s’ kanë shkuar siç duhet??? Ç do t’i ndodhë jetës së familjes së një punonjësi të SHISH që punon në një vend jo mik të NATO-s si diplomat ose në një institucion ndërkombëtar kur të lexojë emrin e tij? Po familjes dhe fëmijëve të tij nëse ndodhet në një operacion të mbuluar ???

Çdo t’i ndodhë një agjenti apo oficeri krimesh të infiltruar nga DEA në bashkëpunim me policinë tonë në një organizatë kriminale, mundësisht në një organizatë trafiku drogërash të rënda nga Amerika e Jugut ??? Çdo të ndodhë me shërbimet dhe organizatat partenere të Shqipërisë kur të shohin dhe lexojnë se nuk jemi në gjendje të mbrojmë as të dhënat e të paktën e atyre njerëzve që sakrifikojnë për shtetin?Ç do të ndodhë nëse në të njëjtën mënyrë sillemi dhe me të dhënat e vendeve të tjera të NATO-s partnere apo atyre të dhënave që elaborojmë?

Është një vend, që pas kësaj që ka ndodhur, emrin shtet e njehson vetëm nocioni gjeografik. Për vite me radhë funksionoi pa gjykata dhe prokurori, për hir të vërtetës një pjesë vazhdon e tillë. Është një shtet që mos të zëntë halli të shkosh në spital. Është një shtet që e mbyti korrupsioni dhe varfëria për shtetasit e vet. Është një shtet që me publikimin e të dhënave të mësipërme i kanë rënë brekët, është totalisht i zhveshur nga çdo nocion besueshmërie dhe serioziteti.

Të ardhme në një shtet pa brekë s’mund të ketë kurrë!