May 7, 2024
Maqedoni

Një arbëresh dhe një zvicerane me recital në gjuhën e pastër shqipe në Zvicër (Video)

Në një ambient të mrekullueshëm në lokalin “Breitsch-Träff” në Bernë, rreth 30 të pranishëm patën rastin të marrin pjesë në një mbrëmje të organizuar për nder të profesorit Francesco Micieli, përndryshe me prejardhje arbëreshe, informon portali Shtegu. Në këtë mbrëmje, profesori i nderuar paraqiti përshtypjet e tij nga një udhëtim në vendin e të parëve të tij, duke treguar për mbresat e tij rreth arbëreshëve, me disa fotografi të realizuara. Rrëfimin e tij ai e paraqiti në dy gjuhë, gjermanisht dhe në gjuhën arbërore, duke krijuar emocione te të pranishmit.

Në mesin e shumë zviceranëve e arbëreshëve tjerë, të pranishëmm në këtë manifestim ishin edhe ish kryetari i Shoqatës “Bashkimi” nga Ostermundigeni, zotëri Asan Jashari dhe mësuesja e zellshme e Shkollës Shqipe në Ostermundigen, Ida Jashari. Ovacione të rralla shkaktoi Selina Baltliner, e cila në mënyrë të përsosur interpretoi dy këngë arbëreshe e që shkaktoi emocione të mëdha te të pranishmit.

Pëndryshe, familja e Francesco Micielit i përket minoritetit shqiptar të arbëreshëve në Itali. Në vitin 1965, me prindërit e tij ai erdhi në Emmentalin zviceran. Francesco Micieli, i cili tashmë fliste gjuhën e tij amtare, një dialekt shqip dhe italisht, mësoi këtu gjermanishten dhe gjermanishten zvicerane. Ai ndoqi shkollën në Lützelflüh dhe shkollën e mesme në Burgdorf. Më pas studioi romantikën dhe gjermanishten në universitetet e Bernës, Kozencës dhe Firences. Përfundoi studimet në vitin 1982 për filozofi dhe punoi si asistent në Universitetin e Bernës. Ai gjithashtu punoi si autor, aktor dhe regjisor në skenat në Solothurn dhe Burgdorf. Ai mbajti një detyrë mësimore në Shkollën e Dizajnit dhe në Universitetin e Arteve të Bern në Bernë dhe Biel. Sot jeton si shkrimtar i pavarur në Bernë.

Francesco Micieli është një shkrimtar i prozës narrative, dramave dhe libretit. Në prozën e tij ai trajton historinë e shpërnguljes së pjesëtarëve të minoritetit shqiptar nga Italia në një gjuhë të përmbledhur, por edhe lirike. Çështja e migrimit trajtohet në formë të fiksionalizuar nga këndvështrimi i të dy gjinive, brezit të parë dhe të dytë. Proza alternohet midis poezisë, rrëfimit, monologut dhe bazohet në modele letrare për prozë të shkurtër të ngjeshur si István Örkény.

Francesco Micieli është anëtar i Shoqatës së Autorëve Zvicerane dhe ka qenë president i saj nga viti 2007 deri në vitin 2010.