May 1, 2024
BallinaMaqedoni

Nisi fushata për zgjedhjet parlamentare, partitë prezantojnë programet para votuesve

Në përputhje me Kodin Zgjedhor më datë 18 prill të vitit 2024 në ora 00:00 fillon edhe zyrtarisht fushata zgjedhore për Zgjedhjet Parlamentare, fushatë kjo e cila do të zgjasë deri në orën 00:00 të datës 6 maj.

Këto zgjedhje do të jenë të 11-at radhazi, që nga shpallja e pavarësisë së vendit në vitin 1991. Gjithsej 17 parti do t’i prezantojnë ideologjitë, ambiciet dhe aspiratat e tyre para votuesve në 20 ditët e ardhshme, pasi Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KShZ) pranoi listat e tyre të kandidatëve për deputetë. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të realizohet së bashku më fushatën për zgjedhjet presidenciale, e cila do të zgjasë edhe pesë ditë.

Sipas rregullores së përcaktuar, fushata për zgjedhjet parlamentare do të zhvillohet edhe gjatë heshtjes për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 24 prill. Dita e 24 prillit dhe data e 8 majit po ashtu janë shpallur si ditë jo pune për të gjithë qytetarët e RMV-së.

“Fushata zgjedhore fillon më 18 prill në orën 00:00 dhe zgjat deri në orën 00:00 më 6 maj. Fushata zgjedhore fillon 20 ditë para ditës së zgjedhjeve dhe si në rrethin e parë, ashtu edhe në rrethin e të dytë të votimit nuk lejohet të zgjasë 24 orë para ditës së zgjedhjeve dhe në ditën e zgjedhjeve. Nga momenti i vërtetimit të listave me kandidatë e deri në fillimin e fushatës zgjedhore, pjesëmarrësi në fushatën zgjedhore nuk e ka të lejuar të shpenzojë mjete nga llogaria e transaksionit e dedikuar për fushatë zgjedhore. Fushatë zgjedhore konsiderohet tubim publik dhe ngjarje të tjera publike, të organizuara nga pjesëmarrësi në fushatën zgjedhore, vendosje publike e pllakateve, video prezantime në vende publike, prezantim zgjedhor nëpër media dhe në internet, shpërndarje e materialeve të shtypura dhe përfaqësim publik i kandidatëve të vërtetuar nga organet kompetente zgjedhore dhe programet e tyre.”, – thuhet në komunikatën me shkrim nga KShZ-ja.

Pjesëmarrësi në fushatën zgjedhore është i detyruar, që ditën e 11-të nga dita e fushatës zgjedhore (28 prill, në orën 00:00), si dhe në afat prej një dite (7 maj) para mbajtjes së rrethit të dytë të votimit, të parashtrojë raport me formular për donacionet e fituara në llogarinë e transakcionit për fushatë zgjedhore.

Personat e pafuqishëm ose të sëmurë, që janë duke vuajtur dënimin me burg ose janë në paraburgim, të zhvendosur brenda shtetit, do të votojnë një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve. Votimi fillon në orën 07:00 dhe zgjat pa ndërprerje deri në orën 19:00 të ditës së përcaktuar për mbajtjen e zgjedhjeve 8 maj 2024 (e mërkurë).

Në orën 19:00 të ditës së votimit mbyllen pikat e votimit. Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, KShZ-ja i shpall menjëherë, ndërkaq më së voni në afat prej 24 orësh nga dita e përfundimit të tyre. Sipas rregullores për zgjedhjet, të gjitha institucionet e vendit e kanë për detyrë që organeve për zbatimin e zgjedhjeve t’u sigurojnë kushte teknike, hapësinore dhe kushte tjera për punë.