Sot më 9. 1. 2026, Blin Islami, në moshën 12- vjeçare, në Lena Grsfik, në Prishtinë, ka botuar librin me tregime “Bota në teleskopin tim”.
Gjyshi Avni dhe gjyshja Xhemile Dehari i urojnë Blinit shëndet, suksese në mësime dhe shumë botime të tjera!
BOTA NË SYTË E NJË FËMIJE
Përmbledhja “Bota ime në teleskop” e autorit 12‐vjeçar, Blin Islami, përfshin 20 tregime të shkurtra. Ajo hapet me tregimin “Roboti iDjallit dhe Burri Gjigant” dhe përmbyllet me tregimin “Qeni dhe djali”.
Personazhet e këtyre tregimeve janë njerëz, disa nga ta fëmijë që bëjnë edhe probleme, kafshë, një robot, produkt bashkëkohor i teknikës dhe kuçedra, qenie mitologjike.
Në këto tregime, herë në mënyrë reale, herë përmes fantazisë e mira lufton dhe ngadhënjen mbi të keqen. Kësisoj ndodh me Burrin Gjigand, që e mund Robotin e Djallit dhe me ushtarët që e mundin kuçedrën.
Personazhet bëjnë edhe prapësi të ndryshme në tregimet “Dy shokët e famshëm”, “Drejtori i rreptë”, “Rrenacaku i madh”, “Dy vëllezër me ëndrra të ndryshme” dhe “Djali që e përqeshnin”. Ata në fund i kuptojnë gabimet dhe bëhen të mirë.
Dhembshuria, mirësia, ndershmëria, guximi, marrëzia, dëshira për suksese dhe për ta njohur botën hasen në tregimet “Tregimi i Nilit, “Motoristi, që shëroi mamin”, “Ushtari i vogël”, “Ekskursioni”, “Familja e varfër, por ndihmëse”, “Natë e tmerrshme”, “Familja e çmendur”, “Furrtari zemërmirë” dhe “Qeni e djali”.
Fantazia e fëmijës, që gjurmon botën si me teleskop, shpërfaqet me ngjyra të gjalla në tregimet “Lufta e Tretë Botërore”, “Qyteti i çuditshëm”, “Kafshët e xhunglës dhe miu” dhe “Vajza që s’i pëlqenin stinët”.
Tregimet e librit “Bota ime në teleskop” kanë gjuhë konkrete, kuptohen lehtë nga fëmijët dhe lexohen me dëshirë të madhe.
Unë si redaktor në këtë libër kam ndrequr vetëm gabimet gjuhësore dhe kam prekur aty këtu ndonjë fjalë a fjali, për ta bërë kuptimin më të qartë të tyre. Të tjerat fund e krye janë punë e autorit.
Uroj që Blini duke u rritur e duke u formuar të shkruajë edhe tekste të tjera letrare me të cilat do ta befasojë lexuesin.
Prishtinë, fillimvit 2026 Avni Dehari


