Partitë politike janë vënë pas karriges së Avokatit të Popullit, e cila prej katër muajsh ka mbetur bosh, që kur Naser Ziberi doli në pension. Kryeministri Hristijan Mickoski, paralajmëron së shpejti zhbllokim, ndërsa vonesën e arsyeton me zgjedhjet.

“Ishin zgjedhjet. Edhe po të dëshironim nuk mundeshim ta zgjidhnim. Mendoj se edhe formalisht pengesat janë mënjanuar. Shpresoj që për shkurt kohë”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Kryetari i Kuvendit e mban në sirtar emrin e Faton Selamit, pasi shumica parlamentare s’ka shumicën e Badinterit, ndërsa opozita kërkon dialog për të negociuar emrin.

Nëse shihen emrat e kandidatëve që kanë shprehur ambicie për këtë pozicion, krahas atyre që janë më pak të njohur në opinion, ka dhe prej tyre që janë figura partiake.

Mes tyre është pikërisht i përzgjedhur i VLEN-it, Faton Selami, i cili gjatë periudhës së kaluar përveçse ka qenë anëtar aktiv në partinë Alternativa, ka mbajtur edhe poste të larta partiake. Madje, emri i tij ende figuron edhe në uebfaqen e partisë me të cilën udhëheqë Zeqirija Ibrahimi. Selami në vitin 2022 ishte bartës liste i Alternativës për Tetovën, ku shërbeu si këshilltar i kësaj partie deri në tetor të këtij viti.

Si rrjedhojë e ngjarjeve brendapartiake në Degën e Alternativës në Tetovë në vitin 2023, asokohe kreu i partisë Afrim Gashi në mbledhjen për riorganizimin e degës dhe zgjedhjen e kryetarit të ri të degës, e përshëndeti Faton Selamin, duke e cilësuar si eksponent të lartë të partisë.

Pak para zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe presidenciale, Faton Selami ishte emëruar edhe si zëvendësshef i Shtabit Komunal të Alternativës në Tetovë. Nëpër rrjete sociale, mund të gjenden dhjetëra postime ku Selami shihet duke bërë aktivitete partiake ose duke marrë pjesë në mbledhjet e Alternativës.

Ndonëse për shkak të ngërçit për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, nuk mund të paragjykohet nëse Selami do të ulet në këtë karrige apo jo, megjithatë është e vërtetë se ajo karrige ka qenë e rezervuar vetëm me pazare partiake, për gati 20 vite nga BDI-ja. Kështu ishte rasti i Ixhet Memetit, i cili detyrën e Avokatit të Popullit e mbajti dy mandate apo 16 vite gjithsej. Si rezultat i pazarit partiak, Avokat i Popullit u bë edhe pasardhësi i Memetit, Naser Ziberi, i cili erdhi nga pozita e kandidatit të BDI-së për kryeministër të parë shqiptar. Në fakt, kjo bie në kundërshtim me standardet dhe vlerat demokratike, ku Avokati i Popullit përfaqëson figurën më profesionale dhe më të paanshme që vendoset në atë pozitë pasi ka kapacitete për të mbrojtur denjësisht të drejtat dhe liritë e qytetarëve. Megjithatë, Maqedonia e Veriut është larg këtij standardi, duke pasur parasysh se zakonisht për këtë pozicion nuk është marrë parasysh meritokracia, por shërbimi i kandidatëve ndaj partisë./ Alsat.mk

sqShqip