A nuk është ndoshta koha e fundit që të vetëdijesohemi se bashkëpunimi ndërmjet subjekteve politike shqiptare është jo vetëm i nevojshëm, por i domosdoshëm?
Jo vetëm mes atyre që ndajnë të njëjtën ideologji politike, por edhe me ata që mendojnë ndryshe, sepse respekti ndaj mendimit ndryshe është themeli i çdo demokracie dhe forcë e çdo kombi të pjekur.
Rreziku i përçarjes dhe pasojat, rajonalengjarjet e fundit në Kosovë, sidomos mosvotimi i Qeverisë Kurti nga partitë opozitare, janë një shembull i hidhur se si mungesa e bashkëpunimit politik mund të kthehet në armë kundër vetë interesit kombëtar. Ky veprim, dashur pa dashur, u shërben planeve të rrezikshme të forcave sllave në rajon, qoftë atyre serbe, malazeze apo maqedonase.
A nuk po shohim sot se si po realizohen në heshtje planet e Vuçiqit dhe të “Listës Serbe” që ai drejton në Kosovë?
E nesër, nëse nuk jemi të mençur dhe të bashkuar, e njëjta strategji mund të përsëritet në Maqedoninë e Veriut, ku, me këtë mënyrë të politikëbërjes, uji po shkon drejt mullirit të Mickoskit dhe VMRO-së.
Në Mal të Zi dhe në Luginën e Preshevës tashmë po i shohim rezultatet: shqiptarët janë çveshur jo vetëm nga pushteti Qëndrorë, po edhe nga pushteti lokal, pa kompetenca dhe pa zë.
Nevoja për vetëdijesim dhe bashkim kombëtar sot
është më shumë se kurrë më parë, shqiptarët, në të gjitha trojet, kanë nevojë për unitet kombëtar, mençuri politike dhe bashkim rreth vlerave tona shtetformuese.
Në Kosovë, kjo nevojë është e menjëhershme. Duhet të mendojmë si një komb i vetëm, jo si parti të ndara nga interesa të përkohshme.
Qytetarët e papërcaktuar politikisht, që përbëjnë sot mbi 50% të elektoratit, po e shohin qartë këtë mungesë bashkëpunimi. Edhe mërgata shqiptare, që jeton e punon në SHBA dhe në shtetet e Evropës, po e bën thirrjen e saj të hapur:
“Bashkohuni! Qëndroni pranë njëri, tjetrit! Mos e lejoni përçarjen të na kushtojë sërish.” Ata shqiptarë që për vite e dekada kanë mbajtur gjallë ekonominë, kulturën dhe çështjen kombëtare me sakrificë, meritojnë respekt të veçantë dhe zë në vendimmarrje. Mendja e tyre është gjithmonë në vendlindje, dhe ky është një kapital moral që nuk guxojmë ta shpërdorojmë. Mos lejoni që idealizmi jonë kombëtar të zëvendësohet nga materializmi politik. Nëse sot humbasim idealin e përbashkët për interesa të vogla, nesër mund të humbasim gjithçka.
Kombit tonë i duhet urtësi, bashkëpunim dhe respekt reciprok, jo gara të brendshme që forcojnë kundërshtarët tanë.
Një thirrje e sinqertë për zgjim kombëtar, është koha të zgjohemi shqiptarë, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Luginë, në Shqipëri e në mërgatë.
Mos lejoni që ndasitë politike të na copëtojnë shpirtërisht. Ne kemi një gjak, një gjuhë dhe një ideal që na bashkon.
Dhashtë Zoti të vetëdijesohemi si shqiptarë, kudo që jetojmë, sepse vetëm bashkimi ynë është garancia e ardhmërisë.

Prof. Etem Xheladini
Kumanovë, 27 Tetor 2025

sqShqip