Nga ‘Safari Sarajeva’ te kontrolli total ushtarak: Strategjia e re e Vuçiqit kundër Kosovës
Përqendrimi i pushtetit të Aleksandër Vuçiqit mbi ushtrinë dhe aparatin e sigurisë po rikthen në Ballkan logjikën e rrezikshme të viteve të ’90-ta, duke krijuar tensione të drejtpërdrejta për Kosovën dhe duke sfiduar rolin stabilizues të NATO-s në rajon.
Politizimi i ushtrisë, centralizimi autoritar i saj dhe retorika nacionaliste përbëjnë një model që është i ngjashëm me atë të Millosheviqit, por i ambalazhuar me diplomaci moderne. Duke zgjeruar bashkëpunimin ushtarak me Kinën dhe duke thelluar rreshtimin gjeopolitik me Rusinë, Serbia po bëhet kërcënim gjithnjë e më serioz për vendet e rajonit, derisa ndaj Kosovës vazhdon me propagandën hegjemoniste dhe mekanizmat destabilizues përmes strukturave politike e bandave kriminale në veri.
Njëri ndër protagonistët e ‘Safari Sarajevës’, ish-ministri i Sllobodan Millosheviqit e tani president i Serbisë, Aleksandër Vuçiq së fundmi për përforcimin e pushtetit të tij po angazhohet përfundimisht që të futë nën kontroll ushtrinë dhe sistemin e sigurisë në përgjithësi. Ai është duke riprodhuar modele të regjimeve autoritare të së kaluarës, e veçanërisht të regjimit të Millosheviqit, nën regjimin e së cilit është rritur e kalitur politikisht.
Sipas mediave ndërkombëtare dhe atyre pak të pavarura në Beograd, Vuçiq po ndërton kontroll personal mbi ushtrinë.
Media austriake “Austrian Daily” e quan një modus operandi të ngjashëm me Mllosheviqin, ku ka centralizim komandues, politizim të ushtrisë dhe të policisë dhe portretizim të liderit si “mbrojtës të kombit’’.
Kritikët e paktë të Vuçiqit në Beograd vënë në pah se ai përmes ndryshimeve ligjore dhe retorikës publike, po e shndërron ushtrinë në instrument politik për ruajtjen e pushtetit të vet. Sipas tyre, krejt ky proces tregon qartë se “Vuçiq po e merr ushtrinë dhe policinë njëjtë si Millosheviqi dikur”.
Edhe anëtari i kryesisë së partisë Stranka Srbija Center (SRCE), Boshko Shindiq ka theksuar se me këtë proces, Vuçiq po përgatitet për ’’diktaturë totale’’. Brenga e Shindiqit duket se është që Vuçiq qartazi po i zhvesh institucionet nga kompetencat në njërën anë dhe në anë tjetër, ato kompetenca po ia kalon zyrës së vet (presidentit).
Hartimi i ligjeve të reja duket sheshit se eliminon kontrollin civil mbi ushtrinë dhe se vendimet politike po merren pa transparencë, derisa pushteti ’’po ngrihet mbi frikë dhe jo mbi ligj’’. Krejt kjo sipas SRCE është një fazë përgatitore për një diktaturë të plotë politike, e cila do të administrohet përmes aparatit të forcave të sigurisë të të gjitha niveleve.
Sikurse gjatë viteve 1998-2000 kur Millosheviqi përdori ushtrinë për të kontrolluar protestat, ngjashëm po tenton tani të veprojë edhe ish ministri i tij i propagandës, Vuçiq.
Megjithatë, jashtë planit të brendshëm, protagonisti i ‘Safari Sarajevës’ duket se po luan me retorikë të dyfishtë, ku përmes diskursit thotë se dëshirojnë të hyjnë në Bashkimin Evropian, kurse në praktikë bën të kundërtën, e dërgon vendin drejt një autokracie të plotë.
Në një deklaratë publike, Vuçiq thotë se: “Të gjithë duhet të hyjmë në BE”, por kjo bie ndesh fillimisht në raport me Kosovën, pastaj me politizimin e ushtrisë, centralizimin autoritar të pushtetit, konfliktin me institucionet e BE-së mbi sundimin e ligjit dhe afërsinë e madhe me Rusinë dhe Kinën.
Pra, Serbia “zyrtarisht” kërkon BE-në, por praktikisht ndjek modelin e rus të Putinit.
Kosova – ’’arsye’’ për ’’Vrhovni komandant’’
Ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm, tani deputet dhe kryetar i partisë opozitare Stranka Srbija Center (SRCE), Zdravko Ponosh dhe plitologu Cvijetin Milivojeviq dhe juristë të pavarur serb, konsiderojnë se Kushtetuta e Serbisë nuk e njeh titullin “Vrhovni komandant” (Komandanti Suprem) dhe se sipas tyre kjo është një krijesë politike, pa bazë ligjore e pa kontroll parlamentar, i modeluar mbi regjimin e Millosheviqit dhe atë të Putinit dhe se qëllimi final është për të përdorur atë për të krijuar kultin e liderit. Duhet rikujtuar se në fillimet e pushtetit të tij, Millosheviq influenconte jashtëzakonisht mediat shtetërore dhe një ndër reklamat televizive në Serbi atë botë ishte ’’vozhd je stigao’’ (udhëheqësi arriti) duke aluduar pikërisht në vet Millosheviqin.
Ponosh konsideron se ndryshimet e reja në ushtri shkaktojnë konfuzion institucional, rrisin rrezikun e abuzimit me pushtetin dhe përgatitin terrenin për vendimmarrje individuale në situata krize.
Pra, përveç vartësisë personale (nga Vuçiqi), në aspektin juridik rritet ndikimi i kreut të shtetit në emërime, gradime dhe në komandën operacionale.
Serbia ka të drejtë të mbajë ushtrime me cilindo vend, përfshi Kinën, por retorika e Vuçiqit, dhe linjëzimi me Rusinë dhe tensionimi politik me Perëndimin, e bëjnë situatën thellësisht problematike dhe në kundërshtim me orientimin zyrtar të Serbisë drejt BE-së.
Lidhur me këtë Sekretari i NATO-s, Mark Rutte në një intervistë për REL ka thënë se ’’unë do të distancohesha nga ajo që po bënë ai me Kinën’’.
Sipas medias pranë Akademisë Ushtarake dhe strukturave konservatore, Serbia thuhet se gjoja është nën kërcënim (nga Kosova, NATO dhe Perëndimi), prandaj duhet një “komandant i fortë”.
Ky është justifikimi klasik i epokave autoritare.
Dallimi i vetëm real duket se Vuçiq e fsheh autoritarizmin pas narrativës së “stabilitetit” dhe “balancimit gjeopolitik”, ndërsa Millosheviqi e ushtronte atë haptazi.
Përgjatë vitit 2025, Serbia shihet qartë se ka thelluar marrëdhëniet ushtarake me Kinën duke bërë stërvitje të përbashkëta, blerje të dronëve dhe pajisjeve të tjera teknologjike-ushtarake dhe bashkëpunim strategjik në fushën e sigurisë.
Orientim i Serbisë duket se ka tre objektiva: fuqizimin e ushtrisë me teknologji që nuk varet nga NATO, pengimin me çdo kusht të integrimit euro-atlantik të Republikës së Kosovës sepse Serbia paraqitet si faktor i paparashikueshëm dhe krijimin e një ekuilibri strategjik për të mbajtur Perëndimin të tensionuar.
Pra, në raport me Kosovën, Serbia po ndjek modelin e sigurisë së viteve të ’90-ta, por me forma të sofistikuara si presion diplomatik dhe kërcënime të koduara ushtarake, shfrytëzim i Listës Serbe për destabilizim të brendshëm, stërvitje të shpeshta të ushtrisë pranë kufirit, retorikë për “mbrojtjen e popullit serb”.
Rrjedhimisht, Beogradi po e përdor narracionin për Kosovën në diskurs për tri qëllime: mobilizim të opinionit të brendshëm se gjoja vendi dhe populli serb është në “rrezik nga shqiptarët”, legjitimim i rritjes së pushtetit të presidentit me pretekstin se “vetëm Vuçiq mund të parandalojë luftën” dhe justifikim i afërsisë me Rusinë dhe Kinën, pra “Perëndimi është kundër interesave serbe”.
Kjo është pothuajse identike me strategjinë e Millosheviqit gjatë viteve 1998–1999, por e ambalazhuar me diplomaci moderne.
Rreziqet për sigurinë dhe paqen rajonale nga instrumentalizimit i ushtrisë nga Vuçiq
Instrumentalizimi i ushtrisë nga ana e Vuçiq nuk është vetëm çështje e konsolidimit të pushtetit të brendshëm. Ky instrumentalizim ka implikime direkte dhe të ndërvarura për situatën e sigurisë në Kosovë, për stabilitetin e Ballkanit, marrëdhëniet me NATO-n dhe rreshtimin gjeopolitik të vet rajonit.
Centralizimi i forcave të armatosura në duart e Vuçiqit, jashtë mekanizmave demokratik të kontrollit civil gjithsesi krijon një arkitekturë të sigurisë të paqëndrueshme, e cila është e ngjashme me modelet e regjimeve autoritare të Lindjes.
Kthimi i ushtrisë në instrument politik, rrit mundësinë që ajo të përdoret për tensione të paramenduara e orkestruara në pikat kufitare, stërvitjet e vazhdueshme pranë kufirit me Kosovën marrin karakter të ’’sinjalizimit të forcës’’, po ashtu mund të krijohen incidente të kontrolluara për të forcuar narrativen e liderit. Regjimi i Vuçiqit në vazhdimësi ka ’’testuar’’ edhe reaksionin e KFOR-it përmes vendosjes së trupave në afërsi të kufirit, alarmeve të rreme për ’’kërcënime’’ e shpalljeve të gjendjeve të rrezikut.
Pra, përmes disa veprimeve ushtarake dhe xhandarmerisë në afërsi por edhe në brendi të territorit të Kosovës, Serbia ka shpërfaqë hapur përdorimin e këtyre mekanizmave si instrument të negocimit qoftë në Bruksel (BE-n dhe Kosovën) në kuadër të dialogut, apo edhe me SHBA-të.
Rreziku për ’’ngritjen e tensioneve’’ – strategji për mbijetesën e regjimeve
Tendenca e hapur e Vuçiqit për të kontrolluar ushtrinë si ’’Vrhovni komandant’’ është edhe strategji për mbijetesë të regjimit të tij përballë protestave të studentëve të cilat po vazhdojnë prej kohësh, por jo vetëm. Një strategji e tillë është përdorur nga Rusia edhe në Transnistri, Abkhazi, Oseti të jugut dhe Donbas para vitit 2022 për të zgjatë qëllimshëm konfliktet e ngrira.
Rrjedhimisht përmes këtyre modeleve, Serbia mund të mbajë situatën e tensionuar në veri të Kosovës por edhe në entitetin Republika Srpska (RS) e Mal të Zi, duke u përfshi në operacione ’’të padeklaruara’’ si në rastin e Banjskës apo të mbështesë grupe radikale serbe apo përmes Kishës Ortodokse Serbe për të krijuar destabilitet.
Të kujtojmë se, në korrik të vitit 2024 ishte lëshuar një deklaratë politike në emër të Kuvendit dhe Qeverisë dhe entitetit RS të nënshkruar nga Vuçiq dhe Dodik me emrin ’’Deklarata për të ardhmen e përbashkët të kombit serb’’. Deklarata është akt fillimisht i lëshuar në emër të të ashtuquajturit ’’Kuvend i bashkimit gjithserb’’. Është e qartë pra, se të gjitha veprimet operacionale në teren të cilat minojnë shtetësitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe cenojnë integritetin e tyre territorial janë pjesë e një programi politik. Ndërsa siç shihet terminologjia e dikurshme ’’Serbia e madhe’’, ’’Të gjithë serbët në një shtet’’, ’’Bota serbe’’, ’’vëllazërisë sllave’’ në këtë deklaratë paraqitet nën kamuflimin e fjalëve që flasin për të ardhmen e përbashkët të kombit serb.
Sekretari i NATO-s, Rutte para takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të aleancës ka deklaruar se Serbia duhet ti mbaj përgjegjës autorët e sulmit të Banjskës.
Si përfundim mund të thuhet se Kosova, NATO dhe shtetet Perëndimore duhet të rrisin monitorimin e aktiviteteve të ushtrisë serbe, veçanërisht pranë kufirit me Kosovën dhe monitorimin e kapaciteteve të zgjeruara të inteligjencës së saj.
Duhet të ketë kushtëzim të progresit evropian të Serbisë nga ana e BE-së dhe SHBA-së që ndërlidhin çdo hap përpara të Beogradit me depolitizim dhe decentralizim të ushtrisë dhe distancim nga Rusia dhe Kina.
Nga ana tjetër, Kosova duhet të shfrytëzojë mekanizmat e saj legal për masa ligjore, politike dhe sanksione ndaj aktorëve të Listës Serbe të cilët nxisin tensione në vend, po ashtu duhet ë ngritën kapacitetet moderne mbrojtëse si kundërpeshë ndaj teknologjisë së avancuar kineze të cilën është duke e blerë në vazhdimësi Serbia.
Autor: Ridvan Emini PhD. Cand – Hulumtues në Institutin për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS”

