Shoferët në Maqedoninë e Veriut kanë edhe një muaj kohë për të përgatitur pajisjet dimërore për automjetet e tyre. Nga 15 nëntori 2026 hyn në fuqi detyrimi ligjor për posedimin e pajisjeve të përcaktuara dimërore në automjetet motorike dhe makineritë mobile, i cili do të jetë në fuqi deri më 15 mars të vitit të ardhshëm.

Për mosrespektimin e rregullave parashihet gjobë prej 45 eurosh në kundërvlerë denari, si dhe regjistrimi i 25 pikëve negative, në përputhje me Ligjin për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor.

Sipas dispozitave ligjore dhe Rregullores për pajisjet e detyrueshme dimërore, automjetet me masë maksimale të lejuar deri në 3.500 kilogramë duhet të kenë goma dimërore në të gjitha rrotat, me thellësi minimale të profilit prej katër milimetrash.

Si alternativë, lejohet përdorimi i gomave verore me thellësi minimale të profilit prej katër milimetrash, me kusht që automjeti të ketë zinxhirë bore të madhësisë përkatëse për rrotat aktive.

" "

Për automjetet me tërheqje në të katër rrotat (4×4), rregullat janë të ndryshme. Ato duhet të kenë goma dimërore në të gjitha rrotat, me thellësi minimale të profilit prej gjashtë milimetrash. Nëse përdoren goma verore me profil prej të paktën katër milimetrash, është i detyrueshëm edhe posedimi i zinxhirëve të borës – të paktën për boshtin e pasmë te automjetet me tërheqje të përhershme në të katër rrotat, ose për rrotat aktive te automjetet me tërheqje të përzgjedhshme.

Për automjetet motorike me masë maksimale të lejuar mbi 3.500 kilogramë, janë të detyrueshme gomat dimërore në të gjitha rrotat, me thellësi minimale të profilit prej gjashtë milimetrash. Nëse automjeti ka goma verore me profil prej të paktën katër milimetrash, duhet të posedojë edhe zinxhirë bore të përshtatshëm për madhësinë e gomave.

Autobusët dhe automjetet e transportit të mallrave, në të cilat nuk ekziston mundësia e vendosjes së zinxhirëve në rrota, duhet patjetër të kenë goma dimërore në rrotat aktive, si dhe vegla pune për përdorim të menjëhershëm.

Autoritetet rikujtojnë se pajisjet e përshtatshme dimërore janë të rëndësishme për sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion, veçanërisht gjatë reshjeve të borës, ngricave dhe temperaturave të ulëta.

sqShqip