Rajon - Botë

New York Times shkruan për Mira Muratin, inxhinieren shqiptare që po drejton kompaninë më të madhe në botë të Inteligjencës Artificiale

Për shumë vite, Mira Murati ka punuar në “prapaskenën” e OpenAl duke mbikëqyrur zhvillimin e produkteve si ChatGPT dhe DALL-E.

Mediat raportojnë se tani ajo është emëruar si shefe e përkohshme ekzekutive e kompanisë.

Ajo u ngritë në detyrë përkohësisht, menjëherë pasi bordi shkarkoi nga puna Sam Altman.

Shumë media botërore, ndër to edhe gazeta e madhe amerikane, New York Times i ka kushtuar një artikull inxhinieres shqiptare, duke i njohur kontributin në fushën e Inteligjencës Artificiale.

Mira Murati, e lindur në Shqipëri dhe e shkolluar në Kanada, është një inxhiniere mekanike e cila iu bashkua OpenAl në vitin 2018.

Raportohet se para se t’i bashkohej OpenAl, ajo ishte pjesë e kompanisë Tesla, ku luajti një rol kryesor në zhvillimin e veturës Model X dhe Leap Motion, shkruan më tutje gazeta.

Mira iu bashkua OpenAl në kohën kur ajo ishte një organizatë jofitimprurëse, e përkushtuar për të siguruar që inteligjenca e përgjithshme artificiale të ishte në dobi të njerëzimit.

“Çfarë mund të ketë tjetër më frymëzuese sesa ngritja dhe rritja e inteligjencës kolektive të njerëzimit”, kishte thënë atëbotë ajo.

Fillimisht ajo ishte anëtare e ekipit drejtues dhe kishte për detyrë të ekzekutonte vendimet e bordit në të gjithë kompaninë.

Më vonë ajo mori përgjegjësinë për shpërndarjen e gjeneratorit të imazhit, DALL-E dhe gjeneratorit të tekstit ChatGPT, i cili tërhoqi miliona përdorues pas prezantimit vitin e kaluar.

Edhe pse ajo ka mbajtur titullin e shefes së teknologjisë që nga viti i kaluar, punonjësit aktualë dhe të mëparshëm thanë se Murati kishte funksionuar si shefe e operacioneve të kompanisë. Ajo u sigurua që inxhinierët e saj të zhvillonin në kohë versionet e ChatGPT.

Ajo gjithashtu trajtoi marrëdhëniet e kompanisë me Microsoft-in, një investitor dhe partner që ka vendosur teknologjinë e OpenAI-t dhe ka ndihmuar në formimin e politikës së saj të inteligjencës artificiale në Uashington dhe Evropë.

“Ajo ka demonstruar aftësi për të krijuar ekipe me ekspertizë teknike, zgjuarsi tregtare dhe një vlerësim të thellë për rëndësinë e misionit”, shkroi Satya Nadella, shefe ekzekutive e Microsoftit, në një artikull për të për revistën Time. “Si rezultat, Mira ka ndihmuar në ndërtimin e disa prej A.I. më emocionuese që kemi parë ndonjëherë”.

Ndryshe, deri në një vendim të radhës të kompanisë, Mira Murati do vazhdojë të jetë shefe ekzekutive e OpenAl.