Analisti politik Florian Nesimi ka reaguar ndaj protestës së organizuar në Tetovë për çështjen e emrave të rrugëve, duke e cilësuar atë si një veprim të gabuar dhe të motivuar politikisht. Sipas tij, protestat kundër kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, nuk qëndrojnë, pasi gjatë mandatit të tij janë realizuar projekte të rëndësishme infrastrukturore.

“Të dalësh në protestë kundër Bilall Kasamit në Tetovë për çështjen e emrave të rrugëve është veprim totalisht jokorrekt, por edhe absurd. Pikërisht në sferën e rrugëve dhe infrastrukturës, Bilall Kasami ka realizuar më shumë se kushdo tjetër në vitet e fundit,” shkruan Nesimi.

Ai kujton se gjatë kësaj periudhe janë hapur rruga që lidh qendrën sportive me Porojin, rruga nga kazerma deri te rreth-rrotullimi në Drenovec, është ndërtuar bulevardi nga Spitali deri te Shkolla Tekstile, ndërsa po ndërtohet edhe stadiumi i ri i Tetovës, i cili sipas tij do t’i plotësojë standardet e UEFA-s.

Duke komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me emrat e rrugëve, Nesimi vlerëson se debati është i ligjshëm, por jo edhe mënyra se si po shfrytëzohet nga opozita.

" "

“Është e vërtetë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është tendencioz dhe po ashtu është e vërtetë se kjo gjykatë po tejkalon kompetencat e saja dhe më shumë merret me politikë se sa me drejtësi. Debati për çështjen e rrugëve është legjitim, por ta kthesh atë në sulm personal kundër Kasamit është veprim shumë i ulët politik,” thekson ai.

Në fund të reagimit, Nesimi kritikon edhe BDI-në si organizatore të protestës, duke kujtuar humbjet e saj zgjedhore në Tetovë.

“Ironia më e madhe është se protesta organizohet nga BDI-ja, një parti kjo e cila katër herë radhazi ka humbur në Tetovë dhe marrë dënimin nga qytetarët e Tetovës. Qytetarët kanë folur qartë me votën e tyre. Dhe ta sulmosh Kasamin për emra rrugësh teksa ai po hap rrugë të reja dhe po ndërton infrastrukturë sportive moderne, tregon se disa ende nuk e kanë kuptuar mesazhin që qytetarët e Tetovës ia kanë dhënë në kutitë e votimit,” përfundon Nesimi.

sqShqip