May 7, 2024
Maqedoni

“Nëse kthehet, Gruevski do të shkojë në burg”/ LSDM dhe opozita komentojnë deklaratën e ministrit Osmani

Sapo të shkelë në Maqedoni, Nikolla Gruevski do të shkojë në burg, shprehet zëdhënësi dhe deputeti i LSDM-së, i pyetur se si e komenton deklaratën e Ministrit të Jashtëm Bujar Osmani i cili tha se ish-kryeministri Gruevski më mirë të përballet me drejtësinë, sesa informacionet që i ka të jenë në duar të një shtetit tjetër.
“Nikolla Greuvski, në atë moment që do të shkelë në shtetin tonë, do të mbajë dënimin me burg në përputhje me aktgjykimet pozitive.”- tha Darko Kaevski, zëdhënës/deputet LSDM.
Nga ana tjetër, të pyetur për deklaratën e ministrit të jashtëm, opozitarja VMRO-DPMNE tha se ajo vetëm i konfirmon pohimet e tyre se ka komunikim mes BDI-së dhe Gruevskit.
“Kjo vetëm i konfirmon faktet për komunikimin e BDI-së, gjë për të cilën folëm publikisht.”-

Kreu i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, në një deklaratë për “Lajm”, ka parashtuar pyetjen se a po përgatitet Bujar Osmani dhe të tjerët që Gruevskin ta kthejnë në Shkup më 23 tetor në ditën e VMRO-së?
-…edhe pse personalisht kam menduar që në vitin 2016 BDI i ka ndarë rrugët me regjimin e Nikolla Gruevskit, fatkeqësisht Bujar Osmani e vërtetoi se në mënyrë të fshehtë e kanë mbajtur komunikimin, i kanë ndihmuar njëri-tjetrit dhe Bujar Osmani edhe një herë vërtetoi që po punojnë për ta rikthyer Gruevskin, për këtë arsye bënë ndryshimin e Kodit Penal, për këtë arsye flasin për Ligj për Amnisti vetëm e vetëm të jenë në funksion të rikthimit të Gruevskit.”- deklaroi Izet Mexhiti, Lëvizja Demokratike.
Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani në intervistë për TV21, tha se ish-kryeministri Gruevski duhet të jetë në Maqedoni dhe të përballet me drejtësinë, pasi që ka informacione të rëndësishme që mund të jenë në duar të një shtetit tjetër, duke aluduar se siguria e shtetit është cenuar nga mungesa e ish-kryeministrit, i cili gëzon azil në Budapest.
“Nga pikëpamja politike, është një çështje që e di që do të keqpërdoret, por nga pikëpamja e sigurisë, të kesh një kryeministër që ishte kryeministër për më shumë se 10 vjet dhe i kishte të gjitha informacionet e shtetit , dhe është në duart e një shteti tjetër, kjo nuk është mirë për asnjë shtet.”- tha Bujar Osmani, MPJ.
Kthimi i Gruevskit muajin e fundit ka qenë kryetemë në skenën politike të vendit. Ditë më parë, nënkryetari i LSDM-së dhe zëvendëskryeministri Fatmir Bytyqi, për TV21 tha se duhet të ketë pajtim, por jo edhe falje e veprimeve të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.