Takimi i ministrit për Marrëdhënie mes bashkësive, Agon Ferati me ambasadorin e Turqisë në Shkup, Fatih Ulusoy, ka hapur një debat më të gjerë mbi rolin e Ankarasë dhe ndikimin e saj në hapësirën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Politologu shqiptar që jeton dhe vepron në Kroaci, Nehat Sadiku, vlerëson se takimi nuk duhet parë vetëm përmes formulës diplomatike për bashkëpunim në arsim, edukim, gjithëpërfshirje dhe kohezion shoqëror.
Sipas tij, në realitetin politik të Maqedonisë së Veriut, këto tema kanë edhe një dimension identitar dhe strategjik.
“Diplomacia në Ballkan rrallëherë është vetëm diplomaci. Një fotografi, një takim apo edhe renditja e temave në një komunikatë mund të bartin një mesazh më të gjerë politik”, vlerëson Sadiku.
Ai thekson se Turqia prej vitesh ka ndërtuar në Ballkan një model ndikimi që shkon përtej diplomacisë klasike, përmes arsimit, kulturës, biznesit, bursave dhe rrjeteve shoqërore.
Megjithatë, Sadiku nënvizon se kjo nuk do të thotë se çdo kontakt me Ankaranë duhet interpretuar si ndërhyrje politike.
“Problemi analitik lind atëherë kur kontaktet fillojnë të shndërrohen në një strukturë të qëndrueshme politike, ku partneriteti me Turqinë bëhet pjesë e identitetit të një krahu të caktuar politik”, shprehet ai.
Sipas Sadikut, takimi bëhet edhe më interesant për shkak të pozicionit të VLEN-it në pushtet.
Koalicioni shqiptar duhet të ruajë marrëdhëniet strategjike me partnerët qeveritarë dhe njëkohësisht të dëshmojë para elektoratit shqiptar se orientimi i tij mbetet proevropian dhe euroatlantik.
Në këtë drejtim, Turqia mund të jetë një partner i rëndësishëm, por nuk mund të zëvendësojë orientimin drejt Bashkimit Evropian dhe partneritetin me Shtetet e Bashkuara.
“Një politikë e pjekur shqiptare duhet të jetë pro-BE, pro-NATO, e hapur ndaj Uashingtonit dhe pragmatike ndaj Ankarasë. Çdo reduktim i kësaj politike në një bosht të vetëm do të krijonte varësi”, thotë Sadiku.
Në analizën e tij, Sadiku i kushton rëndësi të veçantë arsimit, si një prej fushave ku ndikimi ndërkombëtar mund të jetë më afatgjatë.
Sipas tij, bashkëpunimi arsimor nuk duhet parë vetëm si shkëmbim institucionesh apo programesh, por edhe në aspektin e krijimit të rrjeteve dhe elitave të reja.
Në fund, Sadiku e zhvendos debatin nga Turqia te një çështje më e madhe: autonomia politike e shqiptarëve.
Sipas tij, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut duhet të kenë marrëdhënie të forta me BE-në, SHBA-në dhe Turqinë, por pa lejuar që asnjë qendër e jashtme të përcaktojë orientimin e tyre politik.
“Në Ballkan, asgjë nuk është vetëm simbolike. Edhe kur flitet për arsim”, përfundon Sadiku.

