April 28, 2024
Kulturë

Në UT u promovua monografia kushtuar Prof. Dr. Arifikmet Xhemailit, nismëtarit të dirigjimit koral në Republikën e Maqedonisë së Veriut

Në Universitetin e Tetovës, në sallën e Fakultetit të Arteve u promovua monografia kushtuar nismëtarit të dirigjimit koral në RMV, Prof. Dr. Arifikmet Xhemailit, nga autorja Prof. Ord. Besiana Qani Mehmedi. Në këtë ngjarje morën pjesë Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Vullnet Ameti, personalitete të njohura nga lëmi i arsimit, shkencës, artit, kulturës, si dhe drejtues institucionesh në vendin tonë.

Redaktori i kësaj monografie, profesori i shquar nga Shqipëria, Dr. Zhani Ciko i përgëzoi të pranishmit në këtë ngjarje, që sipas tij erdhën ta nderojnë atë që është heroi i kësaj feste dhe nga ana tjetër edhe vetë marrin nderimet e tyre. “Njeriu duhet të nderojë, që të nderohet. Në këtë drejtim, një nga protagonistet e rëndësishme është edhe profesoresha Besiana Mehmedi. Atë që ka mbjellë profesor Arifikmeti, brezat e tjerë e çojnë më përpara dhe këta të rinj që kanë ardhur sot këtu me siguri do të prodhojnë një personalitet tjetër, një aktivist të kulturës, të cilët janë shumë të rëndësishëm. Kjo festë, është një festë plurale, e shumëfishtë, sepse njëherë kremtojmë datëlindjen e 70-vjetorit, një moshë e mirë, një moshë premtuese akoma për shumë detyra që do t’i zgjidhë me siguri profesor Arifikmeti, sot e tutje. Nga ana tjetër, duke u bërë sot, kur edhe Universiteti i Tetovës, që ka një histori legjendare, si pak shkolla në botë. Ne jemi dëshmitarë të asaj që ka ndodhur dhe të nivelit që është sot shkolla, dhe për herë të parë promovon një monografi të dalë nga forcat e brendshme, nga ajo që është mbjellë në këtë Universitet, që drejtohet po nga ata që janë produkt i kësaj shkolle të madhe të ndërtimit të kulturës kombëtare tonën në të gjitha lëmenjtë e saj”, nënvizoi Dr. Zhani Ciko.

Autorja e librit, Prof. Ord. Besiana Mehmedi u shpreh se, kjo është një ditë e veçantë për të dhe ndjehet jashtëzakonisht e lumtur që në 70-vjetorin e lindjes së profesorit Arifikmet Xhemaili e promovon monografinë e saj të parë. “Gjatë kësaj kohe shpesh më është kujtuar babai im dhe shprehja e tij “përballja më e vështirë në jetë është me letrën e bardhë, sepse ajo të vë para një përgjegjësie të përjetshme”. Jam ithtare e shprehjes së mirënjohjes për punën dhe sakrificën e personaliteteve tona në çdo kohë, por në mënyrë të veçantë derisa ata i kemi pranë nesh dhe në jetë, andaj kjo monografi përveç së është një dhuratë modeste për profesorin, shpresoj të shërbejë edhe si arkiv i vlefshëm për dirigjentët e muzikantët të cilët nga biografia, puna dhe sukseset e profesorit do të mësojnë historikun e sendërtimit të bazamentit të muzikës klasike në Maqedoni dhe vendosjes së një kulture të këndimit koral dhe të dirigjimit. Njëkohësisht, kjo monografi do të arkivojë tri dekada të aktivitetit muzikor brenda Universitetit të Tetovës, ku protagonist kryesor është misionari i palodhshëm, Arifikmet Xhemaili”, tha mes tjerash autorja e monografisë, Prof. Ord. Besiana Mehmedi.

Vetë protagonisti i monografisë, Prof. Dr. Arifikmet Xhemaili theksoi se ndjehet tejet i emocionuar, në këtë ditë kur kolegët e tij dhe fakulteti ku ka punuar 27 vjet, e nderuan në këtë mënyrë. “Do të dëshiroja që çdo koleg të përjetojë këtë që unë sot e ndjej e nuk shprehet me fjalë. Shpesh fjala nuk e ka fuqinë që të thotë atë që ndjen zemra. Nuk e kisha menduar kurrë këtë ditë. Gjatë 45 viteve në skenë dhe 27 viteve punë në Universitet, qëllimi im ishte të punoj, ta avancoj korin, ta ngre jetën kulturore në Tetovë, ta prezantoj lartë e më lartë Fakultetit e Arteve, të krijojmë një kuadër të shëndoshë e një fakultet si na ka hije dhe të jemi të barabartë me të gjitha koret dhe fakultetet në rajon, madje pse jo, me punë të arrijmë të jemi më të mirët. Kurrë nuk mendova se cili do të jetë suksesi, çfarë do të jetë çmimi në gara apo sa do të vlerësohem nga shoqëria, rrethi, kolegët. Dita e sotme më dëshmon se vetëm puna e sjell edhe suksesin edhe respektin, dhe për këtë jam tepër i lumtur”, deklaroi Prof. Dr. Arifikmet Xhemaili.

Me fjalimet e tyre këtë veprimtari e begatuan edhe dekani i Fakultetit të Arteve, Prof. Ord. Senad Abduli, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, Sekretari shtetëror i Ministrisë së Kulturës, Valmir Aziri, i cili njëkohësisht ishte edhe dizajnues i monografisë, recensenti i monografisë, Mr. Sami Piraj dhe profesoresha e Fakultetit të Arteve në Universitetin tonë, Prof. Dr. Jëlldëz Asani. Në përmbyllje të këtij aktiviteti, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, për kontributin e dhënë në lëmin e kulturës, Prof. Dr. Arifikmet Xhemaili i ndau një mirënjohje.