Në UT u mbajt punëtoria “Mëso, studio, përsosu dhe bëhu inxhinier”
Fakulteti i Shkencave të Zbatuara i Universitetit të Tetovës, sot organizoi një punëtori për arkitekturën dhe ndërtimtarinë. Qëllimi i kësaj punëtorie është që, maturantët të njoftohen se ç’është arkitektura dhe ndërtimtaria, pse duhet të studiohen këto dy drejtime dhe të njihen me profesionin e tyre të ardhshëm si inxhinierë të arkitekturës dhe ndërtimtarisë.
Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, para maturantëve theksoi se, ne si drejtues të Universitetit do të përpiqemi që për së afërmi të ju njoftojmë me strukturën e programeve studimore, por edhe me profilet të cilat ne i ofrojmë. “Fakulteti i Shkencave të Zbatuara është ndër fakultetet më të konsoliduar në Universitetin tonë. Stafi akademik i punësuar në këtë fakultet, por edhe kushtet të cilat ne i ofrojmë janë ndër më të mirat dhe bashkëkohoret. Mendoj që përgatitja e duhur profesionale, sidomos në programin e Arkitekturës dhe të Ndërtimtarisë duhet të jetë masë e duhur dhe për këtë tregojnë disa indikatorë të cilët në vazhdimësi ne i marrim parasysh, numri i studentëve të cilët janë të punësuar, jo vetëm në kompani të vendit, por edhe kompani të jashtme, si edhe në institucione të rëndësishme, tregojnë se sa të suksesshëm janë studentët tanë. Sot do të keni mundësi që përmes punëtorive t’i shihni nga afër edhe t’i njihni pedagogët tuaj të ardhshëm. Do të keni mundësi ta kuptoni në esencë se çka është arkitektura, çka është ndërtimtaria. Universiteti i Tetovës është universitet publik në gjuhën shqipe, Universiteti i cili synim parësor ka përgatitjen e kuadrove të shoqërisë sonë dhe pikërisht në këtë frymë është edhe ky organizim. Për ne më e rëndësishme është përzgjedhja e profesionit të duhur, sepse në atë formë ju kontribuoni edhe për shoqërinë edhe për Universitetin”, tha Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.
Dekani i Fakultetit të Shkencave të Zbatuara, Prof. Dr. Enis Jakupi tha se, kjo punëtori u organizua në kuadër të Fakultetit të Shkencave të Zbatuara me një moto shumë të thjeshtë “Mëso, studio, përsosu dhe bëhu inxhinier”. Fjala inxhinier është një kuptim i cili zbatohet në përditshmërinë tonë. Dikur fjala inxhinier asocionte në trekëndëshat, vizoret e kështu me radhë, kurse sot është teknika, teknologjia dhe zbatimet e përditshme. Pasi përgatiteni të bëheni inxhinierë të ardhshëm dhe motoja e juaj çdoherë do të jetë projektimi, mbikëqyrja, ndërtimi dhe inxhinieringu. Fjala inxhinier, që e mbani si epitet të madh, ka të bëjë me gjeniun dhe kjo rrjedh që nga viti 1976. Kurse kur jemi të arkitektura, po ashtu ka një koncept shumë të gjerë. Kuptimi i arkitekturës është projektimi, ndërtimi dhe realizimi i objekteve të ndryshme. Por, në kuptim etimologjik fjala arkitekturë ka të bëjë me dy fjalë, fjalën arkos, që do të thotë shef, dhe tektonika- mjeshtër, ndërtues, që do të thotë arkitektët janë shefat kryesorë, mjeshtërit kryesorë, ata që udhëheqin konceptin e objekteve në përgjithësi nëpër institucione. Inxhinieringu sot ka marrë një hov shumë të madh dhe një aplikim shumë të gjerë dhe hyn në përdorim në profesione të ndryshme si arkitekturë, mekatronikë, ndërtimtari, gjeologji, ekologji e kështu me radhë”, u shpreh dekani i Fakultetit të Shkencave të Zbatuara, Prof. Dr. Enis Jakupi.
Në përmbyllje të kësaj ngjarje, Prof. Dr. Kujtim Elezi mbajti një prezantim, me temë “Mbi Arkitekturën”, ku foli gjerësisht mbi historikun e arkitekturës nga e kaluara e deri më sot.
Pas hapjes solemne vijuan punëtoritë sipas planit dhe programit të paraparë në hapësirat e Fakultetit të Shkencave të Zbatuara, në koordinim me profesorët përkatës, duke filluar nga Arti Figurativ, me Prof. Mr. Burim Ukicin, me vizita të laboratorëve, me Prof. Dr. Shenasi Zejnelin, punë me modele me Doc. Dr. Lindihina Goxhën dhe Doc. Dr. Nuran Saliun, që e përmbyllën me prezantimin e projektit të studentëve të FSHZ- drejtimi Arkitekturë, të konkursit për zgjedhjen e re arkitektonike për sheshin e Tetovës.