April 29, 2024
Maqedoni

Alternativa do të realizojë takime me partitë parlamentare, kërkon mbështetje në luftën kundër korrupsionit

Në Ditën Ndërkombëtare të Luftës Kundër Korrupsionit, AlternAtivA edhe një herë e riafirmon përcaktimin e saj programor politik se kjo është beteja më e rëndë dhe më e rëndësishme e shtetit dhe shoqërisë sonë.

“Sipas të gjitha indikacioneve dhe matjeve, korrupsioni cilësohet si problemi më i madh pas mirëqenies ekonomike. Qytetarët tashmë e kanë të qartë se shteti me korrupsion nuk ka asnjë mundësi as për perspektivë ekonomike, andaj sa herë që flasim për mungesë të vendeve të punës, të rrogave të pamjaftueshme dhe të standardit të ulët te jetesës, përgjigjja është te korrupsioni i lartë.
Kjo ka qenë arsyeja që AlternAtivA ta ngrejë këtë temë në nivelin më të lartë, duke propozuar një amendament kushtetues që në kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut të sanksionohet se lëndët e korrupsionit politik të mos mund të vjetrohen asnjëherë. Për këtë qëllim ne deri tash kemi realizuar disa takime me diplomatë të vendeve mike të shtetit tonë, të cilët kanë dhënë mbështetje për këtë nismë të Alternativës, ndërsa vula e krejt kësaj ka qenë informacioni i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës se së shpejti në vendin tonë do të vijë një grup ekspertësh amerikanë që do të merren pikërisht me këtë çështje. Kjo na ka inkurajuar se kemi bërë hapin e duhur dhe se agjenda jonë politike, përveçse në interes të qytetarëve, është edhe në përputhje me pritjet dhe nxitjet e aleatëve tanë ndërkombëtarë. Zaten, një vend që aspiron drejt Bashkimit Europian nuk ka mundësi ta bëjë këtë rrugë pa i herrë këto pengesa”, vlerëson Alternativa.
Nisur nga kjo, duke e shfrytëzuar këtë ditë të shënuar të luftës kundër korrupsionit, ju njoftojmë se si zëdhënëse politike e kësaj teme, Alternativa ditëve në vijim do të realizojë disa takime me disa drejtues të partive politike në vend për ta kërkuar edhe mbështetjen e tyre për këtë propozim-amendament kushtetues, gjithnjë duke shpresuar se kjo është një brengë e përbashkët e të gjitha forcave politike që ia duan të mirën dhe perspektivën këtij vendi.