May 16, 2024
Kosovë

Në shtëpinë e heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku: Lotēt e dhimbjes dhe krenarisë ende nuk janë tharë në sytë e Arbenitës (Video)

“Në Shënjestër” shkon në shtëpinë e Dëshmorit Bunjaku, rrëfimi i të bijës: Orët e fundit me babanë, lajmi i vdekjes dhe ëndrra ime pas largimit të tij

Emisioni “Në Shënjestër” ka udhëtuar në fshatin Samadrexhë të Vushtrisë, në familjen e Afrim Bunjakut, ku tashmë janë hapur dyer e mortit. Zia këtu nuk është e zakonshme, por e përzier edhe me një farë krenarie.

Edhe pse për familjen e dëshmorit më të ri të Kosovës, rreshterit të policisë Afrim Bunjaku, i cili humbi jetën mëngjesin pa u zgjuar 24 shtatori në përplasjen me armë me një grup të dyshuar terroristësh serbë, jeta pa të nuk do të jetë më e njëjtë në vazhdim.

Ashtu si edhe për Arbenitën, vajzën e tij të vetme dhe dy djemtë, të cilët ndërsa prisnin që babai i tyre të kthehej nga shërbimi në postën e Zveçanit, u zgjuan të tronditur nga lajmi i hidhur i humbjes së jetës të njeriut të tyre të dashur.

Arbenita, në sytë e së cilës nuk janë tharë ende lotët e dhimbjes së humbjes së babait, thotë për emisionin ‘Në Shënjestër’ se lajmin për humbjen e njeriut të cilin e cilësonte si krenarinë e saj, e mësoi nga tezja e saj. Dhe ende edhe sot, nuk mundet të pajtohet dot me faktin, që ai nuk ndodhet më pranë tyre.

“Unë faktikisht kam qenë duke punuar siç do ditë. Babai im i ndjerë ka shkuar në orën 5.00 pasdite në punë dhe deri në orën 5 të mëngjesit.

Në momentin e parë tezja veç më tha babai është sëmurë, e kanë plagosur. I thashë nuk është e vërtetë. I thashë babai im është mirë. Dhe tezja ime po qante.

Dhe unë e kuptova që diçka nuk shkonte dhe për momentin kam bërtit. Kam menduar se jam në ëndërr. Fatkeqësisht babai yt ka ndërruar jetë”, rrëfen ajo.

Rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, kishte një karrierë të gjatë prej më shumë se dy dekadash në shërbim të rendit dhe sigurisë…

Në shtetin e cilësuar me moshën më të re në Evropë, por që nga pavarësia në vitin 2008 është përballur shpesh me kërcënime që vijnë kohë pas kohe nga Serbia.

Kërcënime që vazhdon të praktikojë politika hegjemoniste ndaj Kosovës dhe krijuar trazira nëpërmjet edhe grupeve ekstremiste që mbajnë të trazuar veriun e vendit.

Afrim Bunjaku ishte transferuar në postën policore të Zveçanit, një komunë me shumicë serbe në veri të vendit. Pikërisht pas tërheqjes masive që policët me kombësi serbe, kishin kryer nga aty disa muaj më parë, të urdhëruar nga Beogradi zyrtar.

Ashtu si edhe atë pasdreke të datës 23 shtator, kur ai u nis në krye të detyrës, pa e ditur se ky do të ishte udhëtimi i tij i fundit, në rrobën e zyrtarit të policisë së Republikës së Kosovës.

“Babai im ka punuar 22 vite në polici në Republikën e Kosovës. Ka qenë i përkushtuar. Nuk ka thënë kurrë po përtoj sot të shkoj në detyrë. Më duket ende si një ëndërr dhe shpeshherë zgjohem nga ëndrra dhe them o Zot se smundem me e pranue këtë gjë, që duhet të bëhem e fortë e babai e dha jetën për liri”, rrëfen e bija.

Në familjen Bunjaku kjo është humbja e dytë më e madhe në këto 10 vite. Më herët kjo familje kishte humbur në një aksident një nga fëmijët e saj. por kurrë nuk do ta besonin se pas përfundimit të luftës, dëshmori i radhës i një agresioni të frymëzuar nga shovinizmi serb, do të ishte kryefamiljari dhe babai i tyre.

“Të flasësh për babain tim është shumë pak. Nuk mundesh ta përshkruash me pak fjalë. Unë kam qenë krenare me babain tim. Gjithmonë unë i kam thënë, ishalla unë vdes para teje. Gjithmonë më thoshte, nuk ka më vështirë se me përjetu vdekjen e evlatit. Sepse babai im ka humbur një djalë para 10 vitesh në aksident. Aq shumë e kam dashur babain tim sa vështirë më e besuar një ditë se ai ka me vdekur”, thotë e bija.

Por si erdhi përplasja me armë midis Policisë së Kosovës dhe grupit të lokalizuar terrorist serb, të dielën e 24 shtatorit 2023, pa u zbardhur dita, në fshatin Banjskë të Zveçanit?

Kush po kujdeset që kjo zonë në veri të vendit të jetë gjithmonë e tensionuar dhe cilat janë qëllimet e vërteta të Beogradit?

Dhe pse Banjska u kthye në një banjë gjaku, që trazoi edhe rangjet më të larta të diplomacisë në Evropë dhe SHBA?

Këto të fundit ndërkohë po kujdesen në një dialog të gjatë dhe të vështirë negocimi që Kosova dhe Serbia të gjejnë në mos paqen e përjetshme, të paktën gjuhën e përbashkët për të jetuar në fqinjësi të mirë.

Gjithçka duket se nis në orën 02.34 minuta të mëngjesit të datës 24 shtator. Momenti kur policia u njoftua se mbi këtë urë në hyrje të fshatit Banjskë, ishte ngritur një bllokadë.

Pikërisht nga këta dy kamionë pa targa, të anuar edhe sot në anë të rrugës, të mbetur këtu që nga ai mëngjes i errët, që u përdorën për të bllokuar urën nga ku askush nuk mund të lëvizte më përtej. Menjëherë pasi morën informacionin, një patrullë e postës së policisë së Zveçanit, mes tyre dhe Afrim Bunjaku, u nisën të verifikonin situatën.

Por me të mbërritur në hyrje të fshatit, siç shikohet edhe nga këto pamje të publikuara më pas nga Policia e Kosovës; pamje të cilat u siguruan nga dronët e kapur të agresorëve, patrulla e policisë u sulmua me eksploziv, për t’u gjendur më pas nën breshërinë e armëve.

Gjurmët të sulmit me armë që sot janë të dukshme, edhe në xhamat ndërtesës në cep të urës. Plumba që do t’i merrnin jetën rreshterit të policisë Afrim Bunjaku, ndërsa një punonjës tjetër policie mbeti i plagosur në gjoks.