Në seancën e sotme të Qeverisë u miratua propozim-buxheti për vitin 2026, njoftoi ministrja e financave, Gordana Dimitrieska Koçoska. Ajo theksoi se buxheti do të dorëzohet në Kuvend dhe është i fokusuar në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, menaxhim të disiplinuar të financave publike dhe mbështetje të rritjes ekonomike. Projektohet rritje ekonomike prej 3,8 për qind dhe inflacion prej 2,5 për qind. Të ardhurat totale janë planifikuar në 374,7 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet në 413,9 miliardë, me një deficit buxhetor prej 3,5 për qind të PBV-së.

“Të ardhurat totale janë projektuar në 374,7 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet arrijnë 413,9 miliardë denarë, duke vazhduar kështu me zbatimin e disiplinës fiskale strikte, ku rritja është më e shprehur nga ana e të ardhurave sesa e shpenzimeve. Në këtë drejtim, deficiti buxhetor është projektuar në 39,2 miliardë denarë ose 3,5% të Prodhimit Bruto Vendor ë, që përfaqëson një ulje prej 0,5 % krahasuar me vitin 2025. Projeksioni i të ardhurave tatimore për vitin 2026 është bërë me një rritje prej 6% të të ardhurave tatimore krahasuar me ribalancin e vitit 2025, që është rreth 12 miliardë denarë. Kontributet janë planifikuar në një nivel më të lartë prej rreth 4,7 miliardë denarë ose 4% më shumë krahasuar me ribalancin për vitin 2025”, tha Gordana Dimitrieska Koçoska – Ministre e Financave. /Alsat.mk

sqShqip