July 27, 2024
Kulturë

Në Qendrën për Kulturë të RMV-së në Stamboll u përmbyll me sukses performanca artistike “Sinestezia” e vendosur nga profesoreshat e UT-së

Në këtë veprimtari artistike morën pjesë katër profesoresha nga Fakulteti i Arteve i Universitetit të Tetovës, Jëlldëz Asani, në cilësinë e koordinatores, Lulzime Leka Mulaku-piktore, Drenusha Palloshi-piktore dhe Teuta Halimi- muzikologe. Këtij grupi iu bashkëngjit edhe ish-studentja e Fakultetit të Arteve, Ebru Selman-piktore. Koordinatorja e këtij projekti thekson se sfera e muzikës ndikon te individi në mënyra shumë të ndryshme dhe individuale, prandaj artistet u ftuan që të dëgjojnë pjesën muzikore, këngët tona të zgjedhura dhe të interpretuara në piano nga profesoresha Teuta Halimi dhe lejuan që po aty, duke i dëgjuar tingujt e pianos imagjinata e tyre të fillojë të funksionojë. “Çdonjëra në mënyrë të veçantë realizuan harmonizimin e formave dhe ngjyrave, duke e përkthyer veten në një përvojë shpirtërore që adreson emocionet e secilit prej nesh. Në të njëjtën kohë, pretendimi se sinestezia ndryshon nga personi në person duhet të mbështetet nga diversiteti, individualiteti dhe ekspresiviteti i perceptimit dhe paraqitjes artistike të së njëjtës muzikë. Me rëndësi është që vepra e krijuar është frymëzuar nga përvoja e muzikës së zgjedhur. Sigurisht, që të realizohet i gjithë ky projekt me rezultate të mira kërkon përgatitje serioze nga pjesëmarrësit, mirëpo e gjithë kjo u finalizua me një sukses të jashtëzakonshëm përpara një audience të gjerë me prejardhje nga Maqedonia dhe nga Turqia”, deklaroi Jëlldëz Asani.

Ajo, po ashtu shton se bashkëpunimi, ngjarja e përbashkët dhe veprimi i përbashkët midis artistëve është një sfidë për ne si Fakultet i Arteve dhe si dashamirë të artit, të provojmë të njëjtën ndjenjë dhe të promovojmë dhe ringjallim publikun me një qasje të re artistike jashtë kufijve të shtetit tonë.

Ky projekt me realizimin e tij zbulon qasje të reja në interpretimin e artit pamor, promovon dhe reanimon bashkëpunimin dhe veprimet e përbashkëta midis artistëve figurativ dhe artistëve muzikor dhe njëkohësisht dëshmon për një punën serioze dhe angazhimin e artisteve për realizimin e një performance të këtillë.

Në këto imazhe të shprehjes së disiplinuar dhe sintezës së madhe, këto artiste u përpoqën të qetësonin shpirtin dhe ndjenjën, mendimin dhe pasionin, me çka e përmbyllën performancën e tyre me një ekspozitë të veçantë. Për realizimin me sukses të kësaj ngjarjeje me rëndësi për kulturën dhe artin, pedagoget e Universitetit të Tetovës e falënderojnë drejtorin e Qendrës për kulturë të RMV-së në Stamboll, Ramadan Ramadanin dhe publikun e këtij qyteti dhe jo vetëm, që e ndoqën nga afër krijimtarinë e tyre.