Gjatë javës së 48-të të vitit 2025, nga 24 deri më 30 nëntor, në vend janë regjistruar 114 raste të gripit – paraqitje grupore të pacientëve me grip – sëmundje të ngjashme me gripin. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), të publikuara sot pasdite, kjo është për 25,3 për qind më shumë se javën e kaluar. Ndërsa, krahasuar me javën e 48-të të sezonit të kaluar, vërehet një rritje prej 75,4 për qind, ndërsa krahasuar me modelin për 15 sezonet e fundit – një rritje prej 2,7 përqind.
Nga ISHP informojnë se personat e sëmurë këtë javë janë regjistruar në 11 QSHP/PE, përkatësisht në Kumanovë – 49, Strumicë – 16, Shtip – 11, Tetovë – 9, Gostivar – 7, Prilep dhe Kavadar – 6, Makedonski Brod – 5, Negotinë – 3 dhe Radovish dhe Shkup me nga një rast të raportuar.
Në sezonin 2025/2026, numri i përgjithshëm i rasteve të gripit – sëmundjeve të ngjashme me gripin është 776, sipas të dhënave të ISHP-së. Krahasuar me të njëjtën periudhë të sezonit të kaluar, numri i rasteve të raportuara është rritur për 70,9 për qind, dhe krahasuar me modelin e 15 sezoneve të fundit – është regjistruar një rritje prej 25,9 për qind. Në mënyrë kumulative, të sëmurët janë raportuar nga 15 QSHP/PE. Numri më i madh i të sëmurëve është regjistruar në territorin e Gostivarit, ndërsa incidenca më e lartë kumulative është regjistruar në territorin e Makedonski Brod. Sa i përket shpërndarjes së të sëmurëve sipas grupmoshave, numri më i madh i të sëmurëve është raportuar në grupmoshën që mbulon pjesën më të madhe të popullsisë – nga 15 deri në 64 vjeç – 584 raste.
Nga ISHP kujtojnë se vaksinimi kundër gripit sezonal është mbrojtja më efektive kundër kësaj sëmundjeje.
Ndryshe, ndryshimi i motit dhe luhatjet e shpejta të temperaturave po ndikojnë në dobësimin e imunitetit të popullatës në Maqedoninë e Veriut, duke favorizuar përhapjen e gripit sezonal dhe infeksioneve të tjera respiratore. Nga sektori shëndetësor paralajmërojnë se numri i të sëmurëve është në rritje dhe nxisin qytetarët të vaksinohen dhe të respektojnë masat mbrojtëse.
Qytetarët që janë paraqitur për vaksinim falas do të njoftohen me mesazh SMS për termin e tyre të vaksinimit.
Në Maqedoninë e Veriut janë vaksinuar gjithsej 53.114 persona me vaksina falas dhe vaksina komerciale.

