Numri i të evakuuarëve në Kërçovë si pasojë e përmbytjeve ka shkuar në 150. Të njëjtit po strehohen në sallën sportive “Hristo Uzunov”, ku po kujdesen nga Komuna dhe Kryqi i Kuq i Kërçovës. Nga Qendra e Menaxhimit të Krizave njoftojnë se vazhdon të mbetet kritike rruga “Prilepska” dhe se po kryhet pastrim i kanaleve dhe shtratit të lumit Zajaska me mekanizëm të rëndë. QMK tregon për situatën edhe më tej problematike në disa rajone dhe se po vazhdojnë intervenimin në zonat e përmbytura nga reshjet e dendura ditët e kaluara.

Tabel: Qendra e Menaxhimit të Krizave

“Në Dollnen, në fshatin Lazhanë është raportuar dëmtim në oborr dhe në katin përdhes të një shtëpie. Në fshatin Peshtalevë, ka përmbytje për shkak të kanaleve të papastruara. Në Strugë, janë përmbytur oborre dhe shtëpi në zonën e Misleshevski Pat. Njësia e zjarrfikësve Strugë po intervenon me pompa, ndërsa është angazhuar edhe mekanizëm ndërtimor. Në, Gostivar, në rrugën Tumçevishte – Çegran rruga nuk është e sigurt për qarkullim”.

Ata njoftojnë se edhe në Prespë janë përmbytur toka bujqësore, oborre, shtëpi dhe magazine, për këtë arsye po intervenojnë me pompa dhe mekanizëm ndërtimor për largimin e ujit dhe pastrimin e zonave të rrezikuara.

Gjithashtu për në Krushevë rekomandojnë që uji për pijë të zihet para përdorimit përshkak se është turbulluar si pasojë e reshjeve.

sqShqip