Në territorin e Komunës së Gostivarit do të shpallet epidemi e një sëmundjeje ngjitëse, pas rritjes së numrit të personave me simptoma të helmimit, njoftoi Instituti i Shëndetit Publik (ISHP).
Shefi i Departamentit për Epidemiologji të Sëmundjeve Ngjitëse në ISHP, Dragan Koçinski, deklaroi se njoftimet e para janë pranuar mëngjesin e sotëm, ndërsa deri tani janë regjistruar 140 persona të sëmurë, të cilët po intervistohen nga epidemiologët për të përcaktuar burimin e infeksionit.
“Jemi në komunikim të vazhdueshëm me Qendrën e Shëndetit Publik në Tetovë dhe gjatë ditës së sotme do të merret vendimi për shpalljen e epidemisë së sëmundjes ngjitëse. Kjo do të mundësojë koordinim më të mirë ndërmjet të gjitha institucioneve kompetente”, tha Koçinski.
Mbi 350 kontrolle në spital, tre pacientë të shtruar
Ministria e Shëndetësisë njoftoi se në periudhën nga 18 korriku, ora 08:00, deri më 19 korrik, ora 08:00, në Spitalin e Përgjithshëm të Gostivarit janë kryer:
204 kontrolle në Repartin Infektiv, ku tre persona janë hospitalizuar;
140 kontrolle në Repartin e Pediatrisë;
9 kontrolle në Qendrën Urgjente.
Analizat e ujit janë në zhvillim
Koçinski bëri të ditur se, me kërkesë të Prokurorisë Publike, ekipet e ISHP-së kanë dalë në terren dhe kanë marrë mostra të ujit për analiza mikrobiologjike dhe fiziko-kimike.
Nga Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit njoftuan se rezultatet e analizave pritet të jenë gati nesër, pas së cilës do të vendoset për hapat e mëtejshëm të procedurës. Ndërkohë, me urdhër të prokurorit publik, lokacioni në Vrutok vazhdon të jetë i siguruar.
ISHP: Uji të mos përdoret as pas zierjes
Instituti i Shëndetit Publik u bëri thirrje qytetarëve që deri në njoftimin zyrtar për heqjen e ndalimit të mos përdorin ujin nga ujësjellësi i qytetit, madje as pas zierjes.
ISHP rekomandon:
të mos përdoret uji i ujësjellësit për pije dhe gatim;
të përdoret vetëm ujë i ambalazhuar për pirje, përgatitje ushqimi, pijeve, akullit dhe ushqimit për foshnja;
të mos përdoret uji për larjen e frutave dhe perimeve që konsumohen të freskëta;
për larjen e dhëmbëve të përdoret vetëm ujë i sigurt;
për dush dhe larje të përdoret ujë i ambalazhuar ose ujë i zier, duke shmangur gëlltitjen e tij;
restorantet dhe objektet hotelierike të mos përdorin ujin e ujësjellësit për përgatitjen e ushqimit dhe pijeve, si dhe të mos përdorin makinat për akull;
në çerdhe, fëmijëve t’u jepet vetëm ujë i ambalazhuar dhe ushqimi të përgatitet vetëm me ujë të sigurt.
Hetimet vazhdojnë
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, deklaroi një ditë më parë se rezultatet e para të analizave priten të hënën, ndërsa institucionet kompetente po vazhdojnë hetimet për të përcaktuar shkakun e ndotjes së ujit dhe të rasteve të shumta të helmimit në Gostivar.
Rasti ka shkaktuar reagime të shumta politike dhe institucionale, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të respektojnë të gjitha rekomandimet shëndetësore deri në publikimin e rezultateve përfundimtare të analizave.

