Maqedoni

Në Dibër me dy doza të vaksinës janë imunizuar mbi 8100 persona

Në Komunën Dibër dhe Qendër Zhupë me procesin e imunizimit kundër COVID-19 me dy doza janë përfshirë mbi 8.100 qytetarë, ndërsa është në rritje edhe interesimi për dozën e tretë, të cilën deri më tani e kanë marrë 21 persona.

“Në pikën e vaksinimit në Spitalin e Përgjithshëm me aktivitet të zgjeruar në Dibër, dozën e parë të vaksinës e kanë marrë 7 885 persona nga komunat Dibër dhe Qendër Zhupa, ndërsa me dy doza janë përfshirë 6.945. Nëse e marrim parasysh se mbi 1.200 persona janë të vaksinuar në pikat në Shkup dhe Ohër, atëherë numri i përgjithshëm i personave të imunizuar me dy doza është mbi 8.145 persona”, informoi Lulzim Strikçani, përgjegjës për shërbimin e imunizimit në këtë institucion shëndetësor.

Sipas tij, sipas rekomandimit të Komitetit Kombëtar të Imunizimit, dozën e tretë mund ta marrin qytetarët të cilët janë vaksinuar dhe rivaksinuar me vaksinat e prodhuesve Sinovak dhe Sinofarm ndërsa e kanë marrë 21 persona, por interesi është duke u rritur.

Ai shton se është duke u aplikuar vaksina Fajzer, prej të cilës ka sasi të mjaftueshme.

Sa i përket situatës epidemiologjike me Covid-19, në zonën e dy komunave, Dibrës dhe Qendër Zhupë, këtë muaj virusi është konfirmuar vetëm në katër persona, në listën e të shëruarve janë përfshirë 61, ndërsa aktualisht janë gjashtë raste aktive në formë të lehtë të sëmundjes.