Me dhembje dhe hidhërim është pritur lajmi për ndarjen nga jeta të nënës Rahime, një figurë e respektuar që shtëpinë e saj e shndërroi në bazë të rëndësishme të veprimtarisë ilegale patriotike gjatë fundviteve të viteve ’80.
Në shtëpinë e saj, te djemtë Sahit e Arben dhe motra Sevdije Krasniqi, janë zhvilluar aktivitete të mëdha kombëtare dhe ilegale atdhetare. Shtëpia e nënës Rahime në Obiliq njihej si njëra ndër bazat më të mëdha të aktivitetit ilegal të asaj kohe, ku janë organizuar veprime të rëndësishme në kuadër të përpjekjeve për çlirimin nga zgjedha pushtuese serbe.
Në këtë shtëpi janë pritur dhe përcjellë me dashurinë e vërtetë të nënës shqiptare shumë shokë e bashkëveprimtarë të lëvizjes atdhetare. Aty janë zhvilluar aktivitete të rëndësishme të veprimtarisë ilegale dhe të përgatitjes së shtypit ilegal, bashkë me figura që më vonë u bënë heronj të kombit, si Fadil Vata, Afrim Zhitia e shumë të tjerë.
Ali Ahmeti, duke kujtuar kontributin e saj, thekson se nëna Rahime u ka dhënë bukë, i ka ruajtur dhe kurrë nuk është lodhur duke u shërbyer djemve të angazhuar në aktivitete ilegale atdhetare dhe politiko-patriotike të kohës.
Ai shpreh dhembjen për ndarjen e saj nga jeta dhe ndan pikëllimin me djemtë, vajzat, nipat dhe mbesat për humbjen e madhe, duke përfunduar me fjalët:
“I qoftë i lehtë dheu i Kosovës së lirë.”


