July 27, 2024
Rajon - Botë

Ndërpritet sërish interneti në Rripin e Gazës

Palestinezët kanë raportuar sërish për ndërprerje të shërbimeve të internetit dhe të telefonisë mobile në Gazë, disa orë pasi sulmet izraelite rrafshuan ndërtesa banimi afër qytetit të Gazës dhe teksa trupat tokësore po luftojnë me militantët e Hamasit brenda territorit të rrethuar.

Agjencitë e ndihmës humanitare kanë paralajmëruar se ndërprerjet e këtyre shërbimeve pengojnë rëndë punën e tyre, teksa situata humanitare në Gazë veçse është e rënduar pasi gjysma e popullsisë prej 2.3 milionë palestinezësh janë zhvendosur dhe janë duke mbaruar furnizimet bazike pas më shumë se tre javë luftë që u nxit nga sulmet e përgjakshme të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor.

Një ditë më parë, një breshëri sulmesh ajrore rrafshuan ndërtesa banimi në një kamp refugjatësh afër qytetit të Gazës. Drejtori i një spitali aty pranë tha se kanë pranuar viktima, por shtoi se qindra persona u plagosën ose u vranë. Numri i saktë i viktimave ende nuk dihet.

Izraeli tha se sulmi, që shënjestroi liderin e lartë ushtarak, Ibrahim Biari, ka shkatërruar një qendër komanduese të militantëve dhe një rrjet tunelesh nën tokë. Sipas Izraelit, gjatë sulmit janë vrarë dhjetëra luftëtarë. Zëdhënësi i ushtrisëtha se Biari ka qenë një prej planifikuesve kyç të sulmeve të 7 tetorit dhe se ndërtesat e banimit u shembën për shkak se u shkatërrua kompleksi nëntokësor i Hamasit. Pretendimet e asnjërës palë në këtë konflikt nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur.

Gaza është rrethuar që nga nisja e luftës, duke bërë që furnizimet me ushqim, ujë, ilaçe dhe karburante të jenë të pakta. Izraeli ka lejuar grupet ndërkombëtare të ndihmës të dërgojnë mbi 200 kamionë me ndihmë humanitare gjatë dhjetë ditëve të fundit, por punëtorët e ndihmës kanë thënë se kjo sasi është e pamjaftueshme. Autoritetet izraelite kanë ndaluar furnizimet me karburante, duke bërë që spitalet të paralajmërojnë se gjeneratorët e tyre shpejt mund të dalin jashtë funksionit, duke vënë në rrezik jetën e pacientëve. Mbi 8.500 palestinezë janë vrarë gjatë luftës, shumica gra dhe të mitur, ka thënë Ministria e Shëndetësisë në Gazë. Mbi 1.400 persona janë vrarë në Izrael, shumica civilë, gjatë sulmeve të Hamasit. Militantët po ashtu kanë rrëmbyer afër 240 persona. /Alsat.mk